Leskaj: Të rihetohet Bashkia e Tiranës

18/01/2012 08:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit i rikthehet dosjeve të vjetra në Bashkinë e Tiranës sa i takon disa shkeljeve me fonde të zbuluara nga hetimi i kryer në vitin 2006.

Duke folur në analizën e punës njëvjeçare të departamentit të kontrollit të buxhetit të pushtetit vendor, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj kërkoi vëmendje maksimale sa i takon zbatimit të rekomandimeve të dhëna për një sërë shkeljesh të zbuluara gjatë viteve 2005-2006.

“Nga dosja e hetimit kemi një mori shkeljesh, me dëm ekonomik rreth 76 milionë lekë, të kryera në disa sektorë, kryesisht të disiplinës financiare dhe urbanistikës. Për këto abuzime, KLSH kërkoi marrjen e masave disiplinore për 13 punonjës të bashkisë dhe kallëzuam në prokurori tre zyrtarë të lartë. Për të parë nëse rekomandimet tona janë marrë në konsideratë apo jo, do të urdhëroj shumë shpejt nisjen e kontrollit”, iu drejtua Leskaj vartësve të tij.

Dosjet e vjetra

Kreu i KLSH-së kërkon t’i kushtojë rëndësi zbatimit të rekomandimeve të lëna për një sërë shkeljesh të zbuluara nga kontrollet e ushtruara, për të kuptuar “nëse puna e KLSH-së ka dhënë rezultate, apo thjesht bëhet puna”. Leskaj paralajmëroi kontrolle edhe në njësi të tjera vendore, duke theksuar nevojën për thellimin e hetimeve.

Rikthimi te dosjet e vjetra të bashkisë, kur drejtohej nga Edi Rama duket si hakmarrje e kreut të ri të KLSH-së për votën kundër që kreu i opozitës dha për kandidaturën e Leskaj në Kuvend. Leskaj ishte një propozim direkt i Presidentit Bamir Topi dhe mori mbështetjen vetëm të mazhorancës, kurse Partia Socialiste votoi kundër me argumentin se nuk ishte kandidaturë konsensuale.
Duke iu rikthyer dosjes së 6 viteve më parë, KLSH zbuloi disa shkelje të administrimit të pronës dhe të fondeve publike, madje edhe shkelje financiare, disa prej të cilave të shoqëruara me dëme ekonomike. Ndër shkeljet e bashkisë së kryeqytetit nga data 1 janar 2005 deri më 31 gusht 2006, në raport veçohet dhënia e shpërblimeve për anëtarët e këshillit të bashkisë pa ndonjë bazë ligjore.

Kallëzimet penale

Zyrtarët e kallëzuar penalisht në Bashkinë e Tiranës kishin funksione që preknin urbanistikën dhe sektorin juridik, por me kalimin e kohës çështja u harrua dhe nuk ka informacion se si prokuroria e ndoqi dosjen e hetuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Në raportet e KLSH-së në vite, por sidomos për 2011-n numri i kallëzimeve ka pësuar rënie. Theksoj se çdo shkelje duhet denoncuar në prokurori, natyrisht me fakte”, tha Leskaj.

Raportet e KLSH-së me bashkinë më të madhe në vend nuk kanë qenë pozitive, pasi çdo kontroll i ushtruar është politizuar. Hetimi i fundit është kryer në shtator 2009, me urdhër të Robert Çekut, duke marrë shkasë nga akuzat e deputetëve të PD-së për disa shkelje me lejet e ndërtimit. Rezultati i hetimit nuk u mësua dhe pritej të bëhej publik në fillim të vitit 2011, por zgjedhjet lokale e shtynë zbardhjen e dosjes në një moment të dytë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA