Kriza e thellë ekonomike në Greqi ka rritur ndjeshëm numrin e të pastrëheve, e bashkë me ta, edhe problemet e autoriteteve për t`i bërë ballë këtij ngërci me burimet e kufizuara në dispozicion.

Shumica e të pastrehëve të rinj nuk janë emigrantë, të droguar apo të sëmurë mendorë, sic ndodhte deri tani. Janë grekë të goditur rëndë nga vështirësitë, njerëz që kanë mbetur të papunë e nuk mund të paguajnë faturat. Në mjaft raste bëhet fjalë për familje të tëra të cilat nuk kanë më një kulm mbi krye për faj të krizës ekonomike dhe lista është e gjatë.

“Këto muajt e fundit, renditjes i është shtuar një kategori tjetër, ata që ne i quajmë të pastrehët e rinj. E thënë ndryshe, njerëz që kanë mbetur pa punë e për shkak se nuk paguajnë dot detyrimet, janë nxjerrë në mes të katër rrugëve. Ky është profili i ri shoqërisë greke”, thotë Markos Bolaris, zëvendësministër i Shëndetësisë.

Një organizatë joqeveritare vlerëson se që prej vitit 2009, numri i të pastrehëve në vend është rritur me 25%. Të dhëna zyrtare nuk ka dhe qeveria po përgatitet ta dokumentojë numrin e njerëzve të mbetur në qiell të hapur. Një projektligj mbi përcaktimin e saktë të atij që do të cilësohet “i pastrehë” është duke u hartuar.

Sipas Bolaris, statistikat mund të ishin edhe më të larta nëse një pjesë e grekëve që po kalojnë nëpër situata të tilla, nuk do të qendronin tek të afërmit e tyre.

Jo të gjithë janë kaq fatlumë dhe në këto netë të ftohta dimri, punonjësit e bashkisë kanë dalë nëpër rrugët e kryeqytetit për t’u shpërndarë batanije njerëzve që flenë jashtë. Mundesitë e zgjedhjes për ta janë të pakta, duke qenë se në Athinë dhe qytete të tjera të vendit mungojnë qendrat e strehimit.

Ministria greke e shëndetësisë po perpiqet ta luftojë fenomenin përmes një plani të përkohshëm bashkëpunimi me hotelet e kryeqytetit që të sigurojnë shtretër për të pastrehët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA