Greqia do të përballet me bisedime vendimtar me institucionet ndërkombëtare dhe kreditorët e pavarur,  ndërsa ka nevojë urgjente për likuiditet për të mos shpallur falimentimin e plotë.

Më parë, Bashkimi Europian pranoi që t’i falte vendit gjysmën e huave të marra, me kusht që Athina të ndërmerrte disa reforma të thella. Megjithatë, bisedimet për këstin e kredisë së radhës dështuan ditën e premte.

Greqia ka bërë të qartë që ka nevojë absolute për këstin e ri, në mënyrë që të paguajë borxhet dhe të mbajë administratën në këmbë.

Zyrtarë të Komisionit Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian, kanë mbërritur të mërkurën në Athinë dhe do të përcaktojnë gjatë ditëve në vazhdim nëse janë bërë reformat e nevojshme për të lëshuar këto fonde.

Myles Bradshaw, një prej specialisteve të panelit ndërkombëtar, u shpreh në media se “Greqia ka nevojë që të hartojë një plan alternativ ekonomik”.

Zyrtarë të Brukselit, janë shprehur jashtë mikrofonave se ndonëse falimentimi i Greqisë do të përbënte një grusht të fortë për Bashkimin Europian në një kohë krize, gjithsesi do të ishte një zgjidhje më e mirë se sa para të reja të hidheshin në një “gropë thithëse”.

Sipas tyre, është e domosdoshme që autoritetet helene të ndërmarrin reforma të thella dhe të qënësishme menjëherë ose të përgjigjen përpara popullit të tyre për falimentimin.

Vetëm në muajin mars, Greqia duhet të paguajë hua prej 14,4 miliardë eurosh. Sipas analistëve, nëse vendi do të falimentojë, atëherë do të largohet edhe prej monedhës së përbashkët euro, ndërsa rrezikon gjithashtu antarësimin në BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA