Fondi Monetar Ndërkombëtar duhet të rrisë resurset e tij me 500 miliardë dollarë më shumë, në mënyrë që të luajë një rol efektiv në stabilizimin e ekonomisë botërore.
Këto para do të ishin të domosdoshme për t’i ardhur në ndihmë vendeve të Eurozonës në vështirësi financiare. Nëse kriza ekonomike do të vazhdojë të përkeqësohet, atëherë FMN-së mund t’i duhen deri në 1 trilion dollarë shtesë në vitet e ardhshme. Ky ishte përfundimi i një raporti të publikuar të mërkurën.
FMN, një organizëm që përfshin 187 shtete, financohet kryesisht nga vendet më të zhvilluara në botë. Nuk është e qartë nëse superfuqitë lindore, si Kina, Japonia apo Rusia do të ishin të gatshme të shpenzonin shuma të mëdha për t’i ardhur në ndihmë ekonomive në vështirësi që përdorin monedhën e përbashkët euro.
”Sipas vlerësimit të ekspertëve tanë, përballë nevojës për likuiditet që ngre kriza financiare botërore, do të kemi nevojë për një shtim të buxhetit me 500 milionë dollarë dhe mund të na nevojiten deri në 1 trilion dollarë më shumë, për të përballuar krizën nëse ajo do të vazhdojë për një kohë të gjatë”, shkruante FMN në një raport.
Megjithatë, në dokument thuhet se kjo një kërkesë zyrtare për rritjen e buxhetit mund të bëhet vetëm pasi një studim më i thelluar të realizohet së shpejti.
FMN ka një fond prej 590 miliardë dollarësh, ndërsa huatë e dhëna prej organizmit kanë arritur rekordin e 250 miliardëve.
Në një samit të dhjetorit, shumica e vendeve të Bashkimit Europian kërkuan një rritje prej 200 miliardë eurosh të resurseve të FMN-së, para që mund të përdoreshin për t’i ardhur në ndihmë shteteve në krizë të thellë si Greqia.
Megjithatë, refuzimi i Britanisë së Madhe për të marrë pjesë në këtë skemë bëri që projekti të dështonte.
Top Channel