Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Arvizu, ambasadori i delegacionit të BE-së, Sequi dhe kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Wolfarth, në një deklaratë të përbashkët shprehin mbështetjen e fortë dhe besimin e plotë për prokurorinë shqiptare për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.
“21 janari 2011 ishte një ditë e dhimbshme në historinë e afërt të Shqipërisë, ku pati demonstrata të dhunshme në kryeqytetin shqiptar. Në atë ditë tragjike u vranë katër protestues dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, përfshirë protestues të tjerë, kalimtarë dhe oficerë policie”, deklarojnë tre ambasadorët
Ata theksojnë së dëshirojnë edhe një herë të shprehin dhembshurinë për anëtarët e familjeve të viktimave të kësaj dhune të pakuptimtë dhe të pafalshme.
“Është e nevojshme që të hidhet dritë e plotë mbi ngjarjet e 21 janarit nëpërmjet një procedure të besueshme gjyqësore, përfshirë një hetim gjithëpërfshirës e të pavarur, të lirë prej ndërhyrjeve politike. Populli shqiptar me të drejtë pret që të jepet drejtësi”, vijon deklarata e tre ambasadorëve.
Në këtë kontekst, thonë ata, besojmë që zyra e prokurorisë shqiptare është institucioni i duhur për ta kryer këtë hetim dhe ai institucion ka besimin dhe mbështetjen tonë të plotë.
Treshja e ambasadorëve thekson se garantimi i respektit për shtetin ligjor është një element thelbësor i shoqërive demokratike dhe parakusht për të ecur përpara në integrimin në BE.
“Kjo është edhe pjesë e aspiratave të qytetarëve shqiptarë. 21 janari 2012 duhet të jetë më shumë sesa një ditë përkujtimi. Duhet të jetë edhe një mundësi që qytetarët shqiptarë të shohin nga e ardhmja dhe që forcat politike të përforcojnë dialogun e tyre politik, bashkëpunimin për integrimin në BE dhe procesin e reformave”, vijon deklarata.
Për rrjedhojë, Arvizu, Sequi dhe Wolfarth nxisim udhëheqësit politikë që t’i japin përparësi interesave të vendit dhe të qytetarëve, kundrejt konsideratave partiake dhe të përqendrohen tek puna e përbashkët për hapa konkretë për ta cuar Shqipërinë me vendosmëri përpara në rrugën e reformave në vitin 2012.
Top Channel