Maqedonia ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për të zgjidhur kontestin e emrit me Greqinë, që ka bllokuar integrimin e fqinjit të saj në strukturat evropiane.

Në një takim që presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov zhvilloi sot në Shkup me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, akuzoi palën greke se nuk ka interes për zgjidhjen e cështjes.

“Shqetësimet tona ndërlidhen me mungesën e vullnetit të palës greke për t’u angazhuar seriozisht në tejkalimin e kontestit të emrit”, citohet Ivanov nga agjencia e lajmeve “INA”.

“Problemet objektive politike dhe ekonomike me të cilat po ballafaqohet Greqia nuk duhet të bëhen motiv për shmangien e nismave për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët”, theksoi ai.

Presidenti maqedonas shprehu indinjatën e tij lidhur me vendimin e autoriteteve greke për të ndërprerë praktikën e takimeve direkte mes krerëve të të dy shteteve.

Ndërsa Maqedonia, sipas tij, po tregohet gjithnjë e më aktive në procesin e negociatave që po mbahen nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara.

Nga ana tjetër, zyrtari amerikan deklaroi se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e kontestit të emrit mbetet i pandryshuar.

“Uashingtoni mbështet fuqishëm integrimet euro-atlantike të Maqedonisë dhe inkurajon të dyja palët për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, që do të zhbllokonte këtë proces”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, zoti Reeker shprehu mirënjohjen e vendit të tij për angazhimin e ushtrisë maqedonase në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse.

Top Channel