21 janari, Rama vlerëson ambasadorët

18/01/2012 19:25

Në një letër publike, kreu i PS, Edi Rama, në emër të gjithë popullit
opozitar ka shprehur mirënjohjen botës demokratike që përmes trojkës së
ambasadorëve foli sot qartë për drejtësinë e munguar për vrasjen e
Hekuran Dedës, Aleks Nikës, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit.

Në letër thuhet se: “Pa qëndrimin e qartë dhe të hapur të botës demokratike, në mbështetje të palëkundur të një hetimi e drejtësie në përputhje me Kushtetutën e me ligjin për krimin e vrasjes së të katër protestuesve të pafajshëm, nuk ka asnjë gjasë që ai krim makabër të ndëshkohet”.

Duke i falenderuar tre ambasadorët dhe duke i cilësuar si tre partnerët e mëdhenj të Shqipërisë për ndjeshmërinë e lartë të fjalëve të tyre sot në kërkim të drejtësisë së munguar të 21 janarit e në adresë të familjeve të viktimave, Rama i ka bërë apel opinionit publik të dëgjojë edhe dëshminë tronditëse të vëllait të Hekuran Dedës.

Rama shkruan më tej në letër se, “Është dëshmia e një familjeje të këputur shqiptare, e cila sot e gjithë ditën jo vetëm qan djalin, vëllain, babain e xhaxhain e vrarë të plot nipave e mbesave, po dhe vuan deri në palcë bashkë me drejtësinë e munguar për 21 janarin e me fyerjet e turpshme ndaj tij pas vdekjes, edhe ofertën rrënqethëse të dikujt që trokiti në derën e shtëpisë së tyre në emër të Sali Berishës”.

Rama shprehet se, “Shqipëria merr sot përditë prova tronditëse të rrëshqitjes drejt një realiteti pa shtet, pa drejtësi, pa institucione dhe të vendosjes së një regjimi metodash e teknikash mafioze për të asgjësuar lirinë, demokracinë, opozitarizmin”.

“Dëshmia e sotme e vëllait të Hekuran Dedës është një tjetër provë e kësaj rrëshqitjeje dhe e dyfytyrësisë shpërfytyruese të këtij regjimi, të cilit opinioni publik duhet t’i vihet përballë demokratikisht përpara se sa të jetë shumë vonë”.

Në fund të letrës Rama, në emër të Partisë Socialiste, fton çdo qytetar në homazhin e 21 janarit, ora 11.00 në vendin e tragjedisë. Rama e mbyll letrën e tij publike se homazhi është në nderim për të kujtuar dëshmorët, për të respektuar familjet e tyre, për të nderuar traditën më të mirë shqiptare në një përvjetor si ky.

Rama-McIlwham: Drejtësia, rëndësi jetike

Cështjet që kanë të bëjnë me sistetimin e drejtësisë, duke e vënë
theksin në hetimin e ngjarjes së 21 janarit, ishin në fokusin e takimit
mes kreut të PS Edi Rama dhe ambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në
Tiranë, Fiona McIlwham.

Sic njofton zyra për shtyp e PS, dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me rëndësinë e funksionimit të sistemit të drejtësisë në një shtet ligjor dhe domosdoshmërinë e hetimit të paanshëm të ngjarjes tragjike të 21 janarit të vitit të kaluar.

Rama e ka informuar ambasaodren britanike për përpjekjet dhe sfidat me të cilat ndeshet Partia Socialiste për realizimin në kohë dhe me cilësi të reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

Ky është takimi i dytë që kreu i PS zhvillon brenda pak ditësh me një ambasador të akredituar në Tiranë. Pak ditë më parë ai pati një drekë pune me ambasadorin e SHBA, Alexander Arvizu, në një prej lokaleve të Tiranës.

Në përfundim të drekës ambasadori Arvizu nuk pranoi të komentonte qëllimin e takimit. Rreth 30 minuta pas tij u largua edhe shefi i opozitës duke refuzuar edhe ai të flasë se cfarë kishte biseduar, në këtë takim të parë për 2012-ën me diplomatin amerikan. Rama u mjaftua duke deklaruar se, “gazetarëve nuk u shpëton asgjë”.

Kohëzgjatja e drekës sugjeron se ka qenë jashtë formatit të drekave protokollare, e zhvilluar në një kohë kur kryefjala e politikës shqiptare është cështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, zhvillim që duket se nuk do ta lërë jashtë faktorin ndërkombëtar të akredituar në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA