Kina, përmes Londrës në Europë

17/01/2012 09:20

Britania e Madhe dhe Kina kanë arritur një marrëveshje për shndërrimin e Londrës në qendrën ndërkombëtare të transaksioneve financiare të monedhës kineze.

Ministri britanik i Financave, Xhorxh Osborn, në kuadër të një vizite treditore në Kinë, duke folur në Hong Kong tha se Londra është e vendosur në mënyrë perfekte për të shërbyer si porta hyrëse e sektorit bankar aziatik dhe investimeve aziatike në Evropë.

Kjo lëvizje pritet të forcojë me disa miliardë stërlina kapitalet britanike, në kushtet kur rritja ekonomike është kërcënuar nga kriza në Eurozonë dhe kur ekonomia britanike sipas specialistëve, teknikisht ndodhet në recesion.

Britania fitoi vitin e kaluar mbështetjen e qeverisë kineze për qendrën financiare të Londrës, City of London, për t’u shndërruar në stacionin ndërkombëtar për tregtimin e monedhës kineze të juanit, që njihet ndryshe edhe renminbi.

Britania është aktualisht burimi më i madh i investimeve direkte të huaja në Kinë nga vendet e BE-së dhe eksportet e mallrave britanike në Kinë u rritën 20 për qind vitin e kaluar.

Londra, si qendra më e madhe në botë për shkëmbimet ndërkombëtare të monedhave të huaja, është në një pozicion unik për tregun e madh aziatik.

Pas relaksimit të kontrolleve shtetërore nga Kina të juanit, monedha kineze pritet të shndërrohet në një monedhë të madhe në tregtinë botërore, duke mundësuar ruajtjen e statusit të Kinës si ekonimia e dytë më e madhe në botë.

Në një raport të fundit, të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Londër, Chatham House, parashikohet që transaksionet tregtare në monedhën kineze mund të kapin shifrën e 1 trilion dollarëve në vitin 2020.

Kjo marrëveshje është një votëbesim i madh për Londrën dhe qendrën e saj financiare, e cila është sulmuar nga partnerët evropianë të Britanisë, vecanërisht Franca, që kërkojnë të zvogëlojnë influencën e saj, përmes edhe të ashtuquajturës “taksa Robin Hud”.

Top Channel