S’je dakord me Albinin? OK. Por dhuna mbi të është poshtërsi mbi poshtërsitë

16/01/2012 00:00

Mustafa Nano – Ka gjëra që më bashkojnë me Albin Kurtin e me lëvizjen “Vetëvendosje”,
por ka dhe gjëra që më ndajnë. E në do raste, më ndan pikërisht ajo që
më bashkon.

Për shembull? Po ja, refuzimi për t’u bërë pjesë e një establishmenti të korruptuar; ose vuajtja që, në një farë mënyre, ai provon, ngaqë është pjesë e këtij establishmenti; në atë masë që është. Dhe me establishment në këtë mes duhet kuptuar qeveria, opozita, institucionet, media, ambasadorët, administrata e huaj, e të gjitha nomenklaturat sunduese, ekonomike, politike, kulturore etj. Është pastaj fakti që aksioni i Albinit është sovran në një vend ku gjestet sovrane janë një gjë e rrallë. Ai nuk merr urdhra nga ambasadorët.

Ka që mendojnë se kjo ndodh ngaqë ai nuk është në situatën kur mund të pretendojë marrjen e pushtetit; sikur të ish në këto rrethana, vazhdon arsyetimi i këtyre, do të ish shumë më i kujdesshëm në marrëdhëniet me ambasadorët, gjë që ka ndodhur me Edi Ramën në Tiranë. Por unë besoj se Albini nuk është si Rama; ai është i një brumi tjetër, është nga ata që kanë besime e ambicie të mëdha në jetë, dhe sakrifikojnë në emër të këtyre besimeve e ambicieve. Është kjo një gjë e mirë? Nuk e di, s’jam i sigurt, e për këtë arsye mendoj se tipare të tilla më bashkojnë, e në të njëjtën kohë, më ndajnë me të. Më bashkojnë, ngaqë në jetë përpiqem të udhëhiqem nga të njëjtat kredo. Më ndajnë, ngaqë i kam frikë njerëz të tillë si Albini, kur i përfytyroj në rolin e vendimmarrësit. Njerëzit me ideale dhe me instinkt të theksuar të independencës, i kam për zemër kur veprojnë në lëmë të shkencës, të filozofisë, të studimeve apo të artit, por më kallin edhe frikë në rolin e veprimtarit politik.

Ka dhe gjëra të tjera që s’më pëlqejnë tek Albini. Mbi të gjitha, s’më pëlqen përmasa anti-politikë e lëvizjes së vet. Politika është e bukur. Është dhe e rëndësishme, shumë e rëndësishme. Unë bëj pjesë tek ata që mendojnë se pa politikën njerëzimi vdes në harkun e një kohe të shkurtër. E prandaj, nuk duhen bërë njerëzit ta urrejnë politikën; përkundrazi, duhet bërë çmos që ata ta duan atë. Anti-politika nuk të çon asgjëkund. E Albini, ndoshta pa dashje, ka përcjellë idenë se anti-politika do t’na shpëtojë. Nuk është se e ka artikuluar ndonjëherë këtë ide, por është lënë të nënkuptohet si mesazh, sidomos kur u jepet njerëzve ideja se patriotizmi është mjaft për të bërë politikë. Jo, s’është fare kështu. S’është mjaft. Madje, në ndonjë rast është patriotizmi që nuk të lejon të bësh politikë. Një ditë përpara se të bëhej protesta, dëgjoja Albinin që thosh se, “nuk e kemi me serbët e Kosovës, as me serbët, por me Serbinë”. Siç shihet, është një mesazh i vrazhdë, jo shumë i përpunuar, e që lë vend për keqkuptime. Albin Kurti mund të thotë gjëra më të sofistikuara se kaq. Por me sa duket patriotizmi, i nënkuptuar si lënda e vetme e politikës, nuk e lë. Nuk e lë as të ndërtojë një identitet politik e një alternativë programatike që të perceptohet qartë nga publiku e nga opinion-bërësit. Në mes të kësaj paqartësie që ai vetë ka mbjellë, e quajnë marksist, revolucionar, ekstremist, anarkist, dhe ai rëndom nuk parapëlqen as t’i konfirmojë, as t’i përgënjeshtrojë këto etiketa, duke ushqyer kështu dyshimet mbi esencën e tij politike, dyshime që ushqehen edhe nga këmbëngulja për të zhvilluar më së pari beteja të natyrës etike e për të mbajtur një qëndrim me dy faqe lidhur me institucionet e shtetit (“Vetëvendosja” do bënte mirë që zv.kryetarin e Kuvendit t’mos e përziente me protestën).

Mund të flitet gjatë për Albinin. Mund të flitet dhe për protestën, e cila mund të ish më pak ultimative e me axhendë më të qartë. Për të gjitha mund të flitej, por – tani është hera për të thënë diçka më të rëndësishme – pas dhunës që u ushtrua nga policia mbi deputetët, do duhej që njëzëri ta dënonim këtë dhunë. Albini, tok me ato që thotë e bën, mund të jetë i diskutueshëm, por dhuna që u ushtrua mbi të e mbi të vetët, nuk ka si të jetë e diskutueshme. Mund të ketë dëshmitarë që do thonë nesër se dhunën e bënë protestuesit të parët, ose që ishin deputetët fillimisht që ushtruan e nxitën dhunë mbi policët, e megjithatë, dhuna e këtyre të fundit mbi njerëzit me mandat përfaqësimi është përtej asaj që mund të përfytyrohet. Sikur kjo dhunë policore të kish kursyer deputetët, ne do duhej të flisnim, prapëseprapë, për dhunën mbi protestuesit paqësorë (nëse kanë qenë paqësorë, e shenjat janë që kanë qenë paqësorë deri në momentin që janë provokuar), por guximi i policëve për të ushtruar dhunë mbi (dhe për të vënë nën pranga) anëtarët e Parlamentit është një skandal e shkuar skandalit. Ashtu siç është skandal e shkuar skandalit fakti që kjo dhunë policore mbi deputetët po kalon si të ish një ngjarje banale në Prishtinë. Presidentja Jahjaga foli para se të fillonte protesta, por nuk ka thënë asnjë fjalë pas veprimeve të dhunshme të policisë. Deri dhe kryetari i partisë më të madhe në opozitës, Isa Mustafa, nuk e ka parë të udhës ta veçojë dhunën e ushtruar mbi deputetët; përkundrazi, ai s’mundi të thosh gjë tjetër, veçse një frazë si të huazuar nga enciklikat papnore: përdorimi i dhunës është i paarsyeshëm nga kushdo qoftë. Edhe media duket e prirur për ta mirëkuptuar reagimin policor. Më së shumti po merren me organizatorët e një proteste ‘të gabuar’, dhe jo me dhunën e shpërpjesëtimuar të urdhëruar nga qeveria ‘Thaçi’.

Duket se ne shqiptarët, përballë dhunës së verbër e arbitrare, udhëhiqemi nga parimi se, “dhuna është OK, mjaft të jetë larg shtëpisë sime”. Dhe harrojmë se dhuna e verbër është … e verbër, d.m.th, mund t’i bjerë rruga edhe nga shtëpia jonë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA