Beteja me institucionet, rasti Topi

16/01/2012 00:00

Çerçiz Loloçi – Përpos përpjekjeve jo të pakta që janë bërë këta 20 vjet që edhe
Shqipëria të qeveriset me institucione demokratike, nuk janë të pakta
rastet kur mazhoranca të radhës të tentojnë apo edhe të arrijnë
zotërimin e plotë të tyre, por sidomos për të arkivuar marrëdhënie të
acaruara me institucionin e presidencës.

Duke përjashtuar presidencën e parë të zotit Berisha në vitet 1992-1997, që kishin të tjera specifika, sepse gjithçka ngrihej nga e para, pothuaj të gjithë pasardhësit e tij, si në rastin e z. Meidani dhe z. Topi që janë propozuar nga një forcë politike, ashtu edhe në rastin e z. Moisiu i zgjedhur në bazë të një konsensusi mes dy liderëve kryesorë dhe falë një inspirimi ndërkombëtar.

Të katër presidentët kanë sjellë modele të ndryshme falë edhe personaliteteve jo aq të ngjashme; ata s’kanë qenë asnjëherë të përkryer, por secili prej tyre ka mishëruar atë që është në thelb të këtij institucioni: të jenë përfaqësues të unitetit të vendit. Kuptohet se përgjegjësia e një presidence, sado efikase të jetë, nuk mund të barabitet me atë të një mazhorance, por është fakt i ditur se secili prej tyre ka qenë edhe politikani më i përkrahur në shkallë kombëtare, si dhe një investim për secilën klasë politike. Duke përjashtuar Berishën, që vazhdon të jetë në pushtet me dy mandate radhazi kryeministrore, investime të tjera kaq të larta, si në rastin Mediani apo në rastin e Kryeministrit të parë demokrat Meksi, u fshinë përdhunshëm. Pothuaj i njëjti fund po projektohet edhe për Presidentin aktual, megjithëse ka arritur të shënojë një nivel më të lartë drejtimi se paraardhësit dhe është politikani më i kuotuar brenda dhe jashtë vendit.

Zgjedhje e z. Topi në krye të shtetit, jo për faj të tij, por për shkak të rrethanave të krijuara, nuk ishte edhe fort demokratike, por që nga ai çast, nga betimi në Parlament dhe deri në muajt e fundit në Presidencë, duhet thënë se është shquar për veprime korrekte që s’anojnë as majtas dhe as djathtas, madje edhe disa ligje të kthyera mbrapsht prej tij (pronat, lustracioni) kanë marrë bekimin e garantit të Kushtetutës, Gjykatës Kushtetuese.

Një president dhe institucioni që ai drejton vlerësohet në radhë të parë për marrëdhëniet që krijon me Parlamentin si pushtet legjislativ, me pushtetin ekzekutiv dhe në radhë të parë me Kryeministrinë, me pushtetin e drejtësisë dhe me atë të medias. Pikërisht në këto raporte, s’ka qoftë edhe një rast që ai ose institucioni që përfaqëson të ketë një shkelje apo ndërhyrje të paligjshme. Përkundër tyre ai është gjendur shpesh në sulme të paprincipta, madje të turpshme, nga një kor deputetësh të forcës së vet politike, të opozitës dhe të një brigade shpifjesh që gjendet rëndom në të dyja forcat kryesore politike. Kulmi i kësaj përbaltjeje ka ardhur edhe nga i vetmi televizion publik kombëtar që konsiderohet si i të gjithëve (mbahet nga taksat e krejt shqiptarëve përfshi edhe kreun e shtetit), si dhe nga një këshilltar që ditën rrogën e merr në Presidencë, ndërsa pasdite aktivizohet anonimisht me falangat e shpifjes.

Ndoshta pushteti që ka më shumë kritika sot dhe që jo drejtpërdrejt ka përgjegjësi edhe Presidenti aktual Topi, është ai i drejtësisë, por këtu s’mund të ketë përparim nëse nuk ndërmerret një reformë e thellë dhe e gjithanshme. Ndërkaq, është gjithashtu jokorrekte që një nënkryetar KLD-je të mbajë këtë post dhe të vazhdojë të kryesojë një Lëvizje Kuq e Zi.

Top Channel