Presidenti, përse ndërkombëtarët ftojnë për konsensus

15/01/2012 00:00

Andrea Stefani – Tashmë është bërë e qartë se ndërkombëtarët kanë marrë një qëndrim të përbashkët, duke sugjeruar zgjedhjen e një presidenti konsensual.

Njëri pas tjetrit, ambasadorët më të rëndësishëm të komunitetit diplomatik në Tiranë, me nuanca apo argumente të ndryshme janë bashkuar në një thelb: Shqipërisë i duhet një president që të jetë mbi palët. “E kam thënë shumë herë që ky rol duhet të ketë një ndarje me pushtetet e tjera, duhet të ketë një ndarje mes presidentit dhe kryeministrit”, u shpreh ditë më parë ambasadori amerikan Arvizu, në një intervistë dhënë pikërisht për gazetën “Shqip”. Ambasadori i BE-së, Sequi, ka sugjeruar zgjedhjen e presidentit përmes një procedure konsensuale, për të përputhur rezultatin me frymën e Kushtetutës sipas së cilës presidenti është simbol i bashkimit të shqiptarëve. Edhe kreu i misionit të OSBE, Wolfart, ka sugjeruar që presidenti të zgjidhet konsensualisht, duke ndjekur modelin që u zbatua në zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Një qëndrim i përbashkët që është vulosur edhe nga Jensen, ambasadori i Danimarkës, vend që nga 1 janari ka marrë kreun e Presidencës së BE. “Do të ishte e mrekullueshme që partitë të binin dakord për një president me konsensus, që do të zgjidhej në rrugë konsensuale, që do t’i bënte politikanët të tregonin se e kanë kuptuar se ç’do të thotë demokraci”, deklaroi pak ditë më parë edhe Jensen. Pra, të gjithë janë për një president konsensual. Madje edhe opozita. Vetëm Berisha dhe krahu i tij politik, shfaqen kundër, duke e maskuar pozicionin e tyre antidemokratik me “zbatimin e Kushtetutës” që, në fakt, pas amendimeve të 21 prillit, ka hapur shtegun që shumica të caktojë pa konsensus dhe vetëm me votat e saj, një President që do të ishte një kukull e shumicës dhe e kryeministrit dhe jo një simbol i bashkimit. Vallë pas 20 vjet tranzicioni, “demokrati” Berisha nuk e ka kuptuar ende se ç’do të thotë demokraci?

* * *

Që të kuptohet se Berisha nuk ka kuptuar asgjë nga demokracia dhe se përse ndërkombëtarët këmbëngulin për një president konsensual duhet që të jetë i qartë dallimi mes mekanizmit si funksionon demokracia liberale dhe mekanizmit si funksionon diktatura. Një dallim që e kanë bërë shumë dijetarë perëndimorë por që Giovani Sartori e ka dhënë në mënyrë shumë sintetike në një nga shkrimet e tij. Sipas Sartorit, kundërvënia midis demokracisë dhe diktaturës është një kundërvënie strukturore e bazuar në natyrën e dallueshme të strukturave shtetërore që kufizojnë e kontrollojnë pushtetin në rastin e një shteti liberal demokratik dhe strukturave që nuk kufizojnë asgjë dhe lejojnë gjithçka, në rastin e një shteti diktatorial. Qartësimi i këtij dallimi na lejon të shohim se ndërkombëtarët, duke sugjeruar zgjedhjen e një presidenti me konsensus, synojnë që ta bëjnë demokracinë të qëndrueshme nëpërmjet mbajtjes në këmbë të strukturave dhe presidenti është një nga ato, që “kufizojnë dhe kontrollojnë pushtetin”. Ndërkaq na bëhet po ashtu e qartë se, me përpjekjen për të krijuar struktura që nuk kufizojnë asgjë dhe i lejojnë pushtetit gjithçka dhe një e tillë strukturë do të qe një president kukull i shumicës, Berisha mbetet në prirjen e tij të natyrshme autokratike që synon të kthejë ndarjen dhe kufizimin e pushteteve, jetike për demokracinë, në një garniturë dhe fasadë të përqendrimit të pushteteve në duart e tij. Dhe autokratizmin e dallon nga diktatura vetëm shkalla e shtypjes. Të dy nuk kanë asgjë të përbashkët me lirinë. Në demokraci, i rikthehemi ambasadorit amerikan Arvizu, “duhet të ketë një ndarje mes presidentit dhe kryeministrit”. Berisha synon ta fshijë këtë ndarje pushtetesh. Ai lakmon të jetë edhe kryetar i qeverisë edhe kryetar i shtetit, një lakmi tipike enveriste. Prandaj dhe synimet e tij janë haptazi jo demokratike. Dhe nëse Berisha tolerohet që në emër të germës së neneve të deformuara të Kushtetutës, por në kundërshtim të hapur me frymën e saj të caktojë, vetëm me 71 votat e shumicës, një pupac të tij në postin e presidentit, opsioni i demokracisë në Shqipëri do të vdesë dhe do triumfojë ai autokratik. Aq më pak mund të bëhet fjalë më pas për integrim të Shqipërisë me Europën dhe Perëndimin. Europa nuk integron regjime autokratike.

* * *

Prandaj me pozicionimin e tyre të qartë dhe të unifikuar për një president konsensual, ndërkombëtarët i japin një ndihmesë të madhe demokracisë në Shqipëri për të përballuar rrezikun e autokratizmit që vjen nga përqendrimi i pushteteve në duart e kryeministrit. Dhe pasi ka nënshtruar gjyqësorin, siç ka shumë të ngjarë të provohet edhe nga vendimi i pritshëm për videoskandalin të Ilir Metës, pasi ka fyer e shantazhuar prokurorinë, pasi ka kapur një pjesë të konsiderueshme të medias, Berisha gjakon të kapë edhe institucionin e Presidentit gjë që do të forconte edhe më shumë kapjen e shtetit prej tij. Pas kësaj, Berisha do bëhej i pakontrollueshëm. Duket ndërkombëtarët e kanë kuptuar këtë dhe prandaj këmbëngulin për një president që nuk do të ishte kukull e Berishës, por edhe e askujt. Dhe zgjedhja me konsensus e një presidenti të tillë nuk është aspak në kundërshtim me Kushtetutën, sikundër përpiqet ta paraqesë propaganda e kryeministrit. Edhe kështu e deformuar nga amendimet e 21 prillit, Kushtetuta kërkon që të zgjidhet një president konsensual në tri raundet e para të votimit. Gjë që normalisht, nuk mund të mos e arrijnë parti dhe liderë rivalë që, gjithsesi, kanë të përbashkët objektivin për një shtet me demokraci, me ndarje dhe kufizim të pushteteve. Por çështja është se, ndërsa betohet për demokraci dhe integrim me Europën, Berisha lakmon instalimin në Shqipëri të një mekanizmi antidemokratik me pushtete të përqendruara në duart e tij. Prandaj kur deklaron me arrogancë se Presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës, ka parasysh caktimin në këtë post të një prej delfinëve të tij, duke përdorur 71 votat e shumicës në raundet e fundit të procedurës për presidentin. Gjë që ndërkombëtarët duken se janë të vendosur të mos e lejojnë. Dhe duke bërë një gjë të tillë, ata shlyejnë edhe gabimin e mburrjes që i bënë amendimeve të Kushtetutës në vitin 2008, si një akt “historik dhe konsensual” që do të sillte stabilitet, duke shmangur krizat politike në Shqipëri. Iluzion që u hodh poshtë nga zhvillimet në tri vitet e fundit.

 

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel