Si një vazhdim të sfidave ndaj Athinës zyrtare konsideron shtypi grek atë çfarë ka ndodhur në karnavalet e Vevçanit, një komunë e vogël 14 kilometra në veriperëndim të Strugës si dhe publikimin më pas të fotografive provokuese nga kjo ngjarje në mediat maqedonase.

Në mes të qindra banorëve të zonës që merrnin pjesë në këtë festë lokale është shfaqur një arkivol i mbuluar me flamurin grek dhe i shoqëruar me një lajmërim vdekjeje ku midis të tjerash shkruhej: “Lajme të mira! Pas shumë vitesh shqetësimesh, fqinji ynë i dashur, ish-krahina turke, Greqia apo Junanistani, na la në moshën 181-vjeçare, nga protokolli i Londrës në 1830, në atë të Hagës në 2011. Mbajnë zi SHBA, BE, Rusia, Serbia.”

Më pas është djegur edhe flamuri i Greqisë. Ngjarja ka krijuar reagime të mëdha në shtypin grek, ndërsa pritet reagimi i udhëheqjes politike.

“Shkupi varrosi Greqinë” është titulli i gazetës më të madhe të së dielës ‘Proto Thema’, kurse proqeveritarja ‘Ethnos’ shkruan në versionin online të saj: “Varrosën Greqinë dhe dogjën flamurin e saj në Shkup”.

Ngjarja vjen vetëm disa orë pas mesazhit që çoi Athina drejt Shkupit për të ndaluar politikën e sfidave, provokimeve dhe sulmeve ndaj Greqisë dhe thirrjes për të vërtetuar nëse ekziston apo jo vullneti politik për zgjidhje në çështjen e emrit.

Nëpërmjet zëdhënësit të Ministrise së Jashtme, Grigoris Delavekuras, Greqia ka protestuar ndaj udhëheqjes së Shkupit edhe për ngritjen e monumentit të Portës së Maqedonisë, inagurimi i të cilit u bë para disa ditësh. Ngjarjet e orëve të fundit nuk lënë vend për shpresa se negociatat e reja që fillojnë këtë javë në Nju Jork midis përfaqësuesve të dy shteteve fqinje me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të OKB Methiu Nimic, do të sjellin diçka pozitive në çështjen kryesore që rri pezull për më se dy dekada midis Shkupit dhe Athinës.

Top Channel