Lejet e ndërtimit, konflikti bashki-hipotekë

15/01/2012 08:10

Karta elektorale e kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës ishte zgjidhja e problemit të qindra pallateve që nuk kishin hipotekë, duke premtuar zhbllokimin e ngërçit brenda harkut kohor prej 6 muajsh.

Natyrisht që premtimi u prit mirë nga ndërtuesit dhe familjet e mijëra apartamenteve “pa vlerë” për aq kohë sa nuk kishin certifikatën e pronësisë.

Brenda katër muajsh, kryetari Lulzim Basha nisi të zbatonte projektin, kur më herët zyrën e tij e kishin vizituar me radhë ministrat e Drejtësisë dhe Punëve Publike, në kuadër të bashkëpunimit përkatësisht për hipotekat dhe legalizimet.

Pas marrëveshjeve u duk se zgjidhja e problemit erdhi më shpejt nga sa pritej dhe se gjithçka vërtitej si mekanizëm ligjor pranë bashkisë, duke injoruar kompetencat e institucioneve të tjera, por ditën e dielë, e përditshmja “Shqip” zbuloi një konflikt të madh midis kompetencave dhe mundësive që ka kryebashkiaku.

Së fundmi, kreu i bashkisë tha se ka dhënë lejen e përdorimit për 11 objekte ose të konvertuar me 385 apartamente dhe ambiente tregtare/biznesi.

Në fakt procesi nuk mbyllet këtu, pasi thjesht bashkia bëri punën që i takonte, duke ia përcjellë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për hipotekim përfundimtar, objektet me hapësirë rreth 70.000 m².

Tashmë i takon hipotekës të vendosë me ekspertët e fushës nëse aplikimi ka qenë në rregull. Shumë ndërtues shprehen se problemi në të kaluarën nuk ishte i tëri te Bashkia, por te zyra e regjistrimit të pronave.

Ajo që duket si fushatë e kryetarit Basha për zgjidhjen e problemit të hipotekave, në fakt i takon një tjetër institucioni, i cili me kohë po vështron me shqetësim ngatërrimin e kompetencave.

Burime pranë institucionit deklarojnë se për regjistrimin e pronës duhen të paktën tre muaj afat dhe se ajo çfarë po ndodh nuk është gjë tjetër veçse një rregullim i procedurave për miratimin e lejeve nga Bashkia.

Pra Bashkia po zgjidh vetëm problemet e saj që ka me ndërtuesit, duke treguar se tashmë “përgjegjësia” është e një tjetër institucioni, i cili varet direkt nga qeveria dhe nuk merr urdhra nga pushteti lokal.

Shumë objekte në Tiranë janë ndërtuar duke dalë nga projekti fillestar dhe për rrjedhojë Bashkia nuk jepte leje për t’i përdorur pasi ishin shkelur rregullat. Në këto kushte ndërtuesi e kishte të pamundur ta regjistronte objektin në hipotekë.

Tashmë, me ardhjen e kryetarit të ri dhe me angazhimin politik, natyrisht edhe me konsensusin (paraprak) të Kryeministrit, po i jep zgjidhje shumë dosjeve, njëfarë lehtësimi për shumë biznese dhe qytetarë. Por pritja do të zgjasë, pasi i takon hipotekës të vendosë vulën finale te certifikata dhe natyrisht një veprim i tillë nuk kalon kollaj, aq më tepër kur tashmë “territoret e influencës dhe të kontrollit” janë ngatërruar paksa.

Punonjësit e hipotekave kanë të drejtën të bëjnë verifikimet e duhura pasi të japin certifikatën dhe këtë procedurë e njohin mjaft mirë ndërtuesit, të cilët kur i pyet shfryjnë, duke shpresuar për një fund të lumtur.
 
Bashkia e Tiranës është duke mbyllur procesin e miratimit të lejeve të përdorimit, edhe për një grup prej rreth 25 dosjesh, të cilat kanë nevojë vetëm për angazhimin e subjekteve ndërtuese, për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm për pajisjen me këto leje.

“Finalizimi i këtij procesi për këtë grup objektesh do të bëjë të mundur përcjelljen pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për hipotekim përfundimtar, një numër prej mbi 1000 apartamentesh banimi, por edhe të një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto, me një sipërfaqe totale prej rreth 175.000 m² ndërtim”, u shpreh pak ditë më parë, kryetari Lulzim Basha, në një takim me grupet e interesit.

Pra Basha përpiqet të nënkuptojë se problemi nuk është zgjidhur i tëri dhe se dikush tjetër (hipoteka) e ka në dorë. Tjetër hap lehtësues për ndërtuesit është reduktimi i procedurave burokratike për marrjen e lejeve.

“Të njëjtin angazhim kërkoj nga pjesa tjetër e komunitetit të ndërtuesve të plotësojnë detyrimet e tyre. Nga 34 dokumente që duheshin deri më sot, për të përmbyllur procesin, ne e kemi thjeshtuar atë në 16 dokumente”, iu drejtua Basha ndërtuesve.

Eksperti i njohur i fushës, Artan Lame nuk e vlerësoi pozitivisht veprimin e fundit të Bashkisë, madje e konsideroi të nxituar, me pasoja për tregun dhe nxitjen e kaosit në ndërtim.
|
Kryebashkiaku Basha garantoi edhe një herë, se puna e Bashkisë nuk përfundon vetëm me kryerjen e detyrave të saj, për pajisjen me leje përdorimi, por ajo do ta ndjekë nga afër procesin, deri në hipotekimin e këtyre objekteve.

“Ne po monitorojmë nga afër, se si po menaxhohet procesi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pra nga hipoteka dhe jam i inkurajuar nga fakti që brenda një kohe relativisht të shkurtër, afro 50 ditë, pas dërgimit të mbi 120 lejeve të shfrytëzimit pranë Hipotekës, duket se afro 107 prej tyre kanë përfunduar dhe pjesa tjetër është në përfundim e sipër”, theksoi ai.

Vlera e objekteve të bllokuara në Tiranë, pra pa hipotekë, llogaritet në rreth 700 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA