Pavarësisht se kemi hyrë në vitin 2012, plot 20 vjet nga liberalizimi i ekonomisë, mungesa e dritave dhe cilësia e shërbimit janë vetëm një pjesë e problemit të madh energjetik që hasin shqiptarët.
Bashkë me këto kosto psikologjike, na duhet të përballemi edhe me koston ekonomike të shpenzimit për konsumin e dritave, e cila në 6 vitet e fundit ka pësuar një rritje me të paktën 30 për qind dhe akoma kërkohet nga kompanitë shtetërore dhe private shtrenjtim i faturës, me argumentin se shitet nën kosto.
Po sa kushton energjia në rajon, sa paguajnë fqinjët tanë, që kanë të ardhura po aq sa ne, ndoshta diçka më tepër?
Një studim i kryer nga Enti Rregullator i Energjisë tregon se mes vendeve të rajonit, ku përfshihet Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja, Kosova, vendi ynë del me koston më të lartë të kilovatit.
Kështu, për konsumatorët fundorë, Shqipëria është “kampion” për faturat më të shtrenjta, me çmim mesatar 7.21 euro cent/kilovat, dhe pas nesh vijnë Maqedonia me 6.78 euro cent/kilovat, kurse me çmimin më të ulët është Kosova, me 4.95 euro cent/kilovati.
Fatura të kripura paguajmë edhe te kategoria e konsumatorëve familjarë, me 6.72 euro cent/kilovati, duke u renditur të dytët, pas maqedonasve me 7.27 euro cent/kilovati.
Nga llogaritjet del se çmimi mesatar në rajon është 5.77 cent/kilovat, ose rreth 25 për qind më e ulët në raport me tarifën që paguhet në Shqipëri. Të dhënat e treguara nuk janë të llogaritura me taksat, të cilat japin ndikim në çmimin final.
Duke bërë krahasimet mësohet se faturat e shtrenjta vijnë si rrjedhojë e taksës TVSH, e cila në vendin tonë ka nivelin më të lartë, 20 për qind, kurse fqinjët, rreth 17 për qind.
Rishikimi i kësaj takse është ndërmarrë disa herë nga qeveria, madje ka qenë në programin qeverisës të demokratëve, por nuk u vu asnjëherë në zbatim, për shkak edhe të kundërshtive nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Studimi i kryer nga ERE-ja ishte në kuadër të debatit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike të kërkuar nga të tria kompanitë, CEZ, KESH dhe OST, në masën mbi 300 për qind, por Enti miratoi vetëm një pjesë, duke rrëzuar aplikimin e kompanisë çeke, ndërsa për shoqëritë e tjera shtetërore ra dakord për rritje të pjesshme.
Vendi Tarifa
Shqipëria 7.21
Bosnja 5.42
Maqedonia 6.78
Mali i Zi 5.89
Serbia 5.81
Kosova 4.95
Mesatarja 5.77
Burimi: ERE, euro cent/kilovat
Top Channel