Teksa kriza e Eurozonës pështjellohet pa fund, pasojat në ekonomitë e tjera të lidhura bëhen më të forta.

Masat e marra nga Komisioni Europian dhe agjencitë e tjera në varësi të tij prekin direkt jo vetëm ekonomitë e Eurozonës, por edhe ato të rajonit e madje dhe Shqipërinë.

Muajin e kaluar Autoriteti Europian Bankar, një agjenci e ngarkuar me mbikqyrjen e Bankave në Europë, nxorri një ligj që detyron bankat e kontinentit të rrisin kapitalin me 115 miliardë euro brenda gjysmës së parë të këtij viti.

Sipas përllogaritjeve bankat greke duhet të ngrenë 30 miliardë euro, ato spanjolle 26 miliardë, ndërsa ato italiane dhe franceze respektivisht 15 dhe 9 miliardë euro. Shumë prej këtyre bankave janë huadhënësit kryesor në vendet në zhvillim të Europës Lindore përfshirë edhe Shqipërinë.

Për shkak se aksionerët nuk kanë fonde të lira, bankat janë të detyruara që pjesën më të madhe të kësaj shume ta sigurojnë nga reduktimi i të ashtuquajturave aktive me rrezik, ku bëjnë pjesë kreditë për ekonominë dhe letrat e borxhit të qeverisë.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe institucione të tjera të speëcializuara financiare paralajmërojnë se Europa Lindore do të jetë rajoni më i goditur nga ky fenomen, ku pritet që bankat të ngadalësojnë kredinë dhe madje edhe investimet në borxhin e qeverive duke goditur kështu rritjen sakaq të dobët ekonomike.

Shqipëria deri tani duket më e mirëpozicionuara në rajon, për shkak të raportit të mirë kredi/depozita, që do të thotë se kreditë që bankat kanë dhënë për ekonomine janë financuar nga vetë depozitat e shqiptarëve.

Megjithatë ekspertët thonë se vendi nuk është plotësisht imun. Pak ditë më parë ekspertët e Bankës Botërore përmendën një rast konkret se si një bankë lajmëroi tkurrjen e fondeve, që kishte paracaktuar për të investuar në Shqipëri. Vitin e kaluar kredia për ekonominë u rrit me 12 për qind, por nëse kriza në Eurozonë nuk gjen zgjidhje presioni që bankat të tkurrin aktivitetin do të rritet edhe më shumë.

Top Channel