Dy partitë shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH, kanë shkëmbyer kritika në seancën parlamentare të së premtes lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe.

Sipas agjencisë së lajmeve “INA”, ishin deputetët e PDSH-së ata që deklaruan se ligji për përdorimin e gjuhëve që flasin së paku 20 për qind e qytetarëve në nivel qendror dhe lokal nuk po respektohet.

Ata theksuan se nuk po zbatohet rregullorja e dygjuhësisë dhe se në këtë mënyrë po shkelet e drejta e shqiptarëve që të përdorin gjuhën e tyre në nivel kombëtar.

“Shqiptarët nuk e gëzojnë të drejtën e plotë për t’u drejtuar në gjuhën e tyre në të gjitha institucionet, edhe pse ligji mundëson dygjuhësinë”, deklaroi deputeti Zijadin Sela.

Në emër të partisë ku aderon, Sela bëri të ditur se për mungesën e zbatimit të ligjit do të bëjë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa nga radhët e BDI-së, deputetja Ermira Mehmeti iu kundërpërgjigj kritikave të PDSH-së duke u shprehur se, BDI kujdeset për zbatimin e drejtë të ligjit për gjuhët, të miratuar në vitin 2008.

“Në tërë shtetin, emrat e institucioneve janë të shkruara në dy gjuhë, në shqip dhe maqedonisht. Dygjuhësia po përdoret gjithandej, nëpër dokumentet zyrtare dhe faqet e internetit “, deklaroi Mehmeti.

Ajo tregoi edhe disa fotografi me emrat e ministrive, institucioneve shëndetësore dhe faqeve të internetit, ku, sipas ligjit, përdoret gjuha shqipe.

Top Channel