Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 20 janar do t’i rikthehen seancave pas një pushimi, e në rend të ditës do të kenë një kërkesë të Komisionit për Ndryshimin e Kushtetutës.

Ky Komision, që tashmë i ka bërë gati ndryshimet për mënyrën e zgjedhjes së presidentit, drejtëpërdrejt nga populli, i ka bërë edhe një kërkesë deputetëve të Kuvendit, duke rikthyer edhe një herë debatin për zgjedhjet presidenciale.

Deputetët pritet t’i japin mbështetje kësaj kërkese për t’i dhënë një mandat të ri këtij komisioni që të merret edhe me një çështje tjetër, rishikimin e nenit 84 ku flitet për kompetencat e presidentit.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka shfaqur për herë të parë qëndrimin e tij, duke lënë të hapur mundësinë që zgjedhjet presidenciale të mos mbahen gjatë 2012-ës ashtu siç ishin pajtuar treshja Thaçi, Mustafa e Pacolli, nëse për këtë bien dakord partitë politike.

Në anën tjetër, në Partinë Demokratike të Kosovës që është në Qeveri, deklarohen se janë të gatshëm që ato të mbahen në çdo kohë, ndërsa në dy dy partitë opozitare, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës janë deklaruar që ato të mbahen brenda këtij viti, sipas marrëveshjes.

Marrëveshja e arritur ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit i kishte dhënë fund krizës presidenciale në Kosovë, dhe sipas saj zgjedhjet për të parin e shtetit duhet të mbahen gjatë 2012, ndërsa ato për Kuvend më 2013. Por, jepja e një mandati të ri Komisionit për Ndryshimin e Kushtetutës që të merret edhe me nenin 84 të kompetencave të Presidentit është parë si një arsye për të shtyrë zgjedhjet presidenciale.

Top Channel