Përkeqësohet Indeksi i Mizeries

11/01/2012 00:00

Edhe pse Shqipëria deri tani ka vijuar të ruajë ritme pozitive të
rritjes ekonomike pa rënë në recesion, sërish kriza ndërkombëtare ka
sjellë pasoja negative për qytetarët.

Por sa eshte ky efekt? Ekonomistët propozojnë një sërë treguesish për të matur efektet negative të krizave tek qytetarët. Njëri nga më kryesorët është Indeksi i Mizeries, i cili kombinon dy tregues të fuqishëm të krizave ekonomike, papunësinë dhe inflacionin. Kjo për shkak se rritja e papunësisë e ndërthurur me rritje të çmimeve krijojnë kosto sociale, që për shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, ato me të ardhura të pakta mund të jenë dramatike.

Në vitin 2000 Indeksi i Mizeries në Shqipëri ishte sipas të dhënave të INSTAT, 21 përqind. Për shkak të rënies së vazhdueshme të papunësisë dhe stabilizimit të çmimeve, ky tregues u përmirësua duke arritur nivelin më të mirë prej 14.7 për qind në vitin 2008. Por menjëherë pas këtij viti, fillimisht kriza botërore e çmimeve dhe më pas ajo e ekonomisë reale e përkeqësuar sërish Indeksin e Mizeries. Në vitin 2010 shifra arriti 16.9, ndërsa për gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, periudhë për të cilën janë edhe të dhënat e fundit zyrtare, Indeksi i Mizeries arriti 17.3 përqind, gati në nivelet e vitit 2002.

E thënë ndryshe, e vetme shifra e rritjes ekonomike nuk mund të masë të gjitha efektet negative që krizat japin tek qytetarët, aq më tepër tek shtresat e ndryshme të shoqërisë. Shqipëria ka patur ulje të varfërisë, por matja e fundit është e vitit 2008. Atehere kur Indeksi i Mizeries ishte në nivelin e tij më të ulet. Por që pas asaj kohe askush nuk e di se cfarë ka ndodhur me varfërinë dhe se si kriza i ka goditur shtresat e ndryshme të qytetarëve. Rritja e Indeksit të Mizeries është një sinjal, se për disa shtresa të shoqërisë, kryesisht ato të pambrojturat kriza mund të ketë patur pasoja jo të vogla.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB