Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar nga dy ministrat, ai i brendshëm Bajram Rexhepi, dhe ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka qenë temë debati në Komisionin Kuvendor që mbikqyrë punët e tyre.

Siç thanë anëtarët e këtij Komisioni, kopjen e Memorandumit e kanë marrë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Brendshme, për shkak se një kopje nuk u është dërguar zyrtarisht.

Komisioni kuvendor i ka kërkuar dy ministrave që ta rishikojnë memorandumin dhe në mënyrë zyrtare t’ia dorëzojnë komisionit, ku më pas do të ftohen të raportojnë. Gjatë këtij takimi, Kryetari i Komisionit Kuvendor për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi, ka parë nevojën e rishqyrtimit të 3 pikave të këtij Memorandumi, pasi që sipas tij, krijojnë konfuzion në kompetencat e institucioneve të sigurisë, dhe lënë hapësirë për interpretime të ndryshme.

Anton Çuni nga Lidhja Demokratike e Kosovës e ka parë të panevojshme nënshkrimin e një memorandumi të tillë, pasi që sipas tij kjo çështje është e rregulluar me ligjet ekzistuese.

Në lidhje me këtë Memorandum ditë më parë zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se nuk e ka mbështetjen e Kryeministrit Thaçi dhe nëse aty ka diçka joligjore, do të anulohet.

Memorandumi i nënshkruar ditë më parë ndërmjet ministrave Bajram Rexhepi dhe Agim Çeku, ka nxitur debate në Kosovë, ku janë ngritur shqetësime sepse përmes tij Forca e Sigurisë së Kosovës do të përfshihej edhe në punë policore.

Top Channel