Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic u ka sugjeruar kryetarëve ilegalë të komunave serbe në veri të Kosovës që të heqin dorë nga referendumi.

Në një intervistë për televizionin serb “TV Most”, Ivanovic ka deklaruar se referendumi nuk është i nevojshëm dhe ka theksuar se 95 për qind e banorëve të veriut nuk e dëshirojnë vartësinë nga institucionet e Prishtinës.

“Sigurisht që do të ketë ende sfida dhe ajo që është edhe më e sigurtë është se nuk kemi tjetër alternativë vec asaj të pushtetit serb”, ka theksuar Ivanovic.

Ai ka vlerësuar se komunikimi i serbëve të veriut me institucionet e Prishtinës është i vështirë dhe se qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare në këtë cështje ka qenë i njëanshëm.

“Ata që jetojnë në Kosovë, e në vecanti ata në veri, nuk duhet t’i lejojnë vetes lluksin që të ketë marrëdhënie të këqija me qeverinë e Serbisë”, ka shtuar zyrtari serb.

Të ashtuquajturit delegatë të kuvendeve komunale të veriut të Kosovës votuan vitin e kaluar për mbajtjen e referendumit në të cilin qytetarët serbë do të vendosin nëse duan t’i pranojnë ose jo institucionet e Kosovës.

Një lajm i tillë nuk u prit mirë nga Beogradi, e në vecanti nga vetë presidenti serb Boris Tadic, i cili kritikoi serbët e veriut duke thënë se referendumi vetëm sa do të rëndojë më tej situatën.

Gjithashtu, kundër referendumit janë shprehur edhe zyrtarë të tjerë serbë, të cilët sugjerojnë se e gjithë bota e di se serbët e Kosovës nuk do t’i pranojnë kurrë institucionet e Prishtinës.

Top Channel