Ish-administratori i OKB-së për Mitrovicën, Gerard Gallucci ka shprehur bindjen e tij se cështja e veriut të Kosovës do të mund të zgjidhet këtë vit.

Megjithatë, në një shkrim autorial në faqen e internetit “Transkonflikt”, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e lindjes së konflikteve të reja nëse palët nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre aktuale.

Sipas Gallucci-t, opsionet për zgjidhjen janë dy, ose ndarja e Kosovës, ose qeverisja e komunave të veriut nga Prishtina vetëm duke u ofruar atyre një status special, që buron nga plani “Ahtisari”.

Më tej ish-zyrtari i UNMIK, i njohur për mbështetjen e tij ndaj serbëve, ka theksuar se për momentin njohja e Kosovës nga ana e Serbisë është e pamundur dhe nuk do të mund të ndodhë para se atje të mbahen zgjedhjet.

“Politika serbe ndaj Kosovës para së gjithash është udhëhequr nga përpjekje të dëshpëruara të Beogradit për të marrë statusin e kandidatit”, ka vlerësuar Gallucci.

“Prandaj, nën ndikimin e SHBA, BE dhe Gjermanisë në vecanti, gjasat janë që ajo të vazhdojë ta përdorën kandidaturën më shumë si shkop, sesa si karrotë”, ka theksuar ai.

Ish-administratori ka shtuar më tej se nga ana tjetër, Prishtina do të vazhdojë të mbajë nën presion serbët e veriut, të cilët gjithësesi mbeten të vendosur të mbajnë referendumin në muajin shkurt dhe të mos lëvizin nga vendi barrikadat.

“Vendet e Pesëshes do të ushtrojnë presion ndaj Beogradit që të mos mbajë zgjedhje në Kosovë dhe do t’i kërkojnë që të tërheqë institucionet paralele nga veriu”, ka nënvizuar Gallucci.

Top Channel