Celularët, rritet konkurrenca

11/01/2012 08:15

Lufta mes kompanive celulare për më shumë kontroll tek abonentët duket qartë nga të dhënat e AKEP sa i takon numrit të përdoruesve që kanë ndryshuar operator, duke ruajtur numrin.

Portabiliteti i numrit prej më shumë se gjashtë muajsh zbatohet edhe në vendin tonë, duke i dhënë mundësi çdokujt të ndryshojë operator celular pa qenë nevoja të humbasë kontaktet, pasi mban sërish numrin. Në muajin e parë të zbatimit të dhënat ishin 3-4 mijë kalime klientësh nga një kompani në tjetrën, për shkak edhe të burokracisë së treguar nga vetë shoqëritë. Me ndërhyrjen e vazhdueshme të AKEP dhe me tarifat e forta të shërbimit telefonik, kërkesa e klientëve u rrit, ndërsa procedura e mbartjes së numrit ishte më e shpejtë.

Deri në fund të dhjetorit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, njofton se sasia e numrave të bartur ka arritur në një shifër të lartë, rreth 41 mijë. AKEP vë re se, rritja e konkurrencës efektive vazhdon dhe numri i abonentëve të cilët kanë përfituar është rritur ndjeshëm. Kjo tregohet edhe me numrin e bartjeve gjatë muajit të festave të fundvitit, me rreth 9000 abonentë, për shkak të agresivitetit të ofertave mes katër kompanive celulare. Po cila nga shoqëritë ka përfituar më tepër? AKEP nuk jep emra konkretë, por thotë që gjithsecila ka pasur tregun e saj. “Të gjithë operatorët janë treguar aktiv për të bartur në rrjetin e tyre abonentët”, thotë autoriteti më i lartë që mbikëqyr tregun e telefonisë në vend.

Portabiliteti nuk e nisi si duhet rrugën drejt zbatimit, por me kalimin e kohës u përmirësua. Megjithatë, AKEP gjykon se ka ende punë për të bërë, prandaj ka ndryshuar rregulloren sesi kompanitë duhet të veprojnë për bartjen e numrit celular, duke i dhënë rëndësi interesit të përdoruesit. Parimi i ndjekur nga Enti është ai i “one-stop-shop”, duke shkurtuar kohën e pritjes së klientit deri në hapjen e sinjalit me operatorin e ri.
 
“Nëse kërkesa për bartje nuk mund të zgjidhet nëpërmjet shkëmbimit të mesazheve standarde elektronike, personi i kontaktit i operatorit marrës do të kontaktojë drejtpërdrejt personin e kontaktit të operatorit dhënës që të diskutojë një zgjidhje të mundshme”, thotë neni 17 i rregullores. Projekti i AKEP synon një zgjidhje të “problemit” brenda ditës dhe jo siç ndodh aktualisht ku duhet deri në një javë. “Operatorët duhet të gjejnë një zgjidhje brenda 8 orëve pune, duke shkëmbyer dhe përditësuar të dhënat e sakta në interes të pajtimtarit dhe vazhdimit të procesit të bartjes”, thuhet në rregulloren e autoritetit. Vëmendje i është kushtuar edhe gabimeve që mund të kryhen nga kompanitë gjatë procesit të bartjes së numrit celular.

“Operatori marrës është i detyruar që në bashkëpunim me operatorin dhënës dhe pajtimtarin të kryejnë brenda një afati sa më të shkurtër korrigjimin e gabimit të konstatuar në kërkesën për bartje”, thotë AKEP në rregulloren e cila pritet të hyjë në fuqi brenda muajit shkurt, ndërsa deri më 23 janar i është lënë kohë kompanive të njihen dhe të konsultohen me ndryshimet. Konkurrenca mes kompanive, të paktën në dy vitet e fundit ka sjellë ulje të ndjeshme të tarifave, me rreth 30 për qind, dhe kjo duket qartë te niveli i të ardhurave që krijojnë shoqëritë, gjithnjë e me rënie nga njëri vit në tjetrin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA