Xhevat Hana, prokurori i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë, u përcoll të martën për në banesën e fundit.
Paradite miq, të afërm, politikanë, krerë institucionesh zhvilluan homazhe në nderim të prokurorit në ambientet e Qendrës Kulturore të Ushtrisë. Trupi i Hanës përcoll më pas për në varrezat e Tufinës.
Xhevat Hana, humbi jetën më 5 janar në një spital në Itali, për shkak të një sëmundje të rëndë, nderkohe qe kreu i shtetit, prokurore e kolege, e kane quajtur humbje te madhe ndarjen e tij nga jeta.
“Vdekjet misterioze të procesit të babait”
Familjarët e Remzi Hoxhës kanë plot 16 vjet që kërkojnë një varr për njeriun e tyre, por ende s’e kanë. Vazhdojnë të shpresojnë për të realizuar synimin e tyre për të pasur një vend ku ta qajnë babanë, ndërsa çuditen me vdekjet e papritura të personave që kanë lidhje me dosjen “Remzi Hoxha”.
“Deri tani janë plot pesë persona, të cilët kanë lidhje me ngjarjen e zhdukjes dhe eliminimit të babait apo hetimin dhe gjykimin e saj, që nuk jetojnë më. Kjo na çudit më shumë se gjithçka”, – shprehet Ardian Hoxha, djali i Remziut, bën të ditur “Shqip”.
Gjatë gjithë kohës nuk kanë reshtur se hetuari privatisht, duke pyetur dhjetëra persona, e madje duke i dhënë material të bollshëm drejtësisë shqiptare për të implikuarit në ngjarjen e rrëmbimit të Remziut në tetor të vitit 1995. Familja e ka guximin të vërë gishtin mbi personat pjesëmarrës në ngjarjen e dhimbshme të Remzi Hoxhës, shqiptarit të Kosovës, që ushtronte aktivitet tregtar në zemër të Tiranës, por jo për shumë kohë, pasi ai u rrëmbye nga shërbimi i fshehtë shqiptar, pasi sipas tyre, zotëronte një informacion të rëndësishëm.
Ardiani thonë se i dinë të implikuarit në rrëmbimin dhe ekzekutimin e njeriut të tyre, ashtu sikurse kanë mjaft informacion për këtë ngjarje, iu janë mirënjohës disa hetuesve, prokurorëve dhe dëshmitarëve të guximshëm që kanë thënë të vërtetën për ngjarjen, edhe atyre që nuk jetojnë më. “Është shumë e çuditshme se si vdesin ‘papritmas’ personat, qoftë në anën e të implikuarve në krimin ndaj babait tim, apo edhe në anën e atyre që e luftojnë atë. Nuk jeton më Bashkim Gazidede, ish-kreu i SHIK-ut në kohën kur u rrëmbye prej këtij institucioni babi im. Po ashtu, pak vite më parë vdiq në rrethana enigmatike, ndonëse u tha nga sëmundje e pashërueshme, Pirro Visari, ish-funksionar i SHISH-it në kohën që ai drejtohej nga Fatos Klosi, personi që u mor me hetimin nga ky institucion të çështjes së tim eti. Të gjithë e kujtojnë vdekjen pas disa ditësh qëndrimi në spital të gjyqtarit Xhelal Elezi, i cili pësoi hemorragji cerebrale në sallën e gjyqit, njeri i nderuar dhe me integritet. Po ashtu, nuk jeton më Ylli Xhaxhika, mjekut i cili ia kishte shëruar plagët babait tim teksa e kishte parë atë në gjendje tejet të mjeruar shëndetësore. Në fund, them me bindje se humbëm një njeri të përkushtuar ndaj profesionit të vet, prokurorin Xhevat Hana, për të cilin as nuk e dinim që ishte i sëmurë. Kjo është e trishtueshme dhe e çuditshme njëkohësisht”, -vijon Ardian Hoxha. Ai konfirmon se familja e tij i ka njohur këta person gjatë kërkimeve që e kanë kaluar një dekadë e gjysmë. Ardiani shprehet se për secilin prej personave që janë marrë me dosjen “Hoxha”’ urdhërues, realizues, dëshmitarë, hetues, prokurorë, gjyqtarë, që nuk jetojnë më, familja ka opinionin e saj.
Top Channel