Një 25 vjecar me origjinë nga Kosova është personi që ka rikthyer në Shtetet e Bashkuara vëmendjen tek sulmet terroriste. Sami Osmakac akuzohet pikërisht se po planifikonte një të tillë.

I riu emigrant nga konteja Pinellas në Florida,  sipas raporteve në media, kishte ndërmend të godiste zona të mbushura me njerëz dhe për të cuar deri në fund planin e tij do të përdorte një auto-bombë, mitralozë dhe lëndë të ndryshme shpërthyese.

Të njëjtat raporte tregojnë se Osmakac ka blerë eksplozivë dhe armë nga një agjent i fshehtë i FBI-së, pa e ditur se ato ishin modifikuar në mënyrë të tillë që të mos funksiononin.

25 vjecari, ish-banor i Kosovës i kishte kërkuar një muaj më parë agjentit në fjale një Kallashnikov e 10 granata dore. Arrestimi i tij u krye të shtunën, ndërsa e hëna ishte dita e paraqitjes në gjykatë.

Pak pas prangosjes, Osmakac shpjegoi motivet që e shtynë drejt një komploti të tillë. Gjaku musliman është më i vlefshëm se i atyre që nuk besojnë në islam, ka rrëfyer shkurt ai, duke shtuar se kërkonte shpagim për të gjithë padrejtësitë e bëra muslimanëve.

E përditeshmja britanike Daily Mail shkruan se agjenti ia ka bërë të qartë Samiut se mund të ndryshonte mëndje. Por ai ka tundur kokën e i është përgjigjur: të gjithë do të vdesim një ditë, ndaj pse të mos vdesim sipas mënyrës muslimane.

Nëse shpallet fajtor, Osmakac mund të dënohet me burgim të përjetshëm dhe me 250.000 dollarë gjobë.

Top Channel