Kabineti qeveritar në Jemen aprovoi një ligj, i cili i jep imunitet nga përndjekja penale ish-Presidentit Ali Abdullah Saleh, duke përmbushur kështu një klauzolë të një plani paqeje të miratuar që më parë.
Ligji i ofron imunitet të zgjeruar Salehut dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij qeveritarë, civilë dhe ushtarakë, gjatë 33 viteve që drejtoi vendin më të varfër të botës arabe.
Shumë shpejt pritet që ai të marrë miratimin në Parlament. Shefja e të drejtave të njeriut në OKB, Navi Pillay, kritikoi hapur ofrimin e imunitetit, ndërsa shprehu frikën se diçka e tillë mund të rikthejë shfaqjet e dhunës në vend.
”Të gjithë ata që kanë abuzuar gjatë protestave dhe janë përgjegjës për vdekjen e qindra civilëve të pafajshëm duhet të përballen me drejtësinë. Askush nuk duhet të ketë imunitet nga përndjekja ligjore”, u shpreh Pillay.
Presidenti Saleh pranoi të hiqte dorë nga pushteti në shkurt 2011, me kushtin që atij dhe familjes së tij t’i jepej imuniteti nga ligji.
Sipas aktivistëve, Garda Revolucionare, e drejtuar nga djali i Saleh, ishte përgjegjësja kryesore për sulmet dhe vrasjet e civilëve në protestat e tyre paqësore, për disa muaj me radhë, në qytetet kryesore të vendit.
Pavarësisht dorëheqjes dhe delegimit të pushtetit tek ndihmësi i tij, Saleh vazhdon të jetë formalisht President i Jemenit, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale në 21 shkurt, në të cilat ai ka shpallur se nuk do të konkurrojë.
Marrëveshja për tranzicionin e pushteteve u ndërmjetësua nga vende të tjera arabe, Shtetet e Bashkuara dhe Organziata e Kombeve të Bashkuara.
Jemeni, me popullsi prej 24 milion banorësh, është vendi më i varfër i botës arabe dhe përballet me sfida si vështirësitë ekonomike, lëvizjet separatiste, lindja e rrymave militante e paqëndruesmëria e theksuar politike.
Top Channel