Për të nxjerrë Greqinë nga kriza e rëndë ekonomike ku ka hyrë prej katër vjetësh, qeveria e Athinës mund t’u japë për menaxhim sipërmarrjeve private edhe objektet shtetërore.

Këtu futen edhe objektet arkeologjike dhe monumentet historike si Akropoli, kodra e Athinës mbi të cilën ndodhet Panteoni i famshëm.

Propozimi në fjalë, i konsideruar provokues, është bërë nga Gerasimos Giakoumatos, ish-ministër i shëndetësisë dhe aktualisht deputet i partisë Demokracia e Re.

Por propozimi në fjalë nuk është fare i ri për Greqinë dhe klasën politike të saj. Rreth një vit më parë ishte kancelarja gjermane Angela Merkel, që i sugjeroi Athinës që të shiste ishujt për të ulur borxhin publik.

Pikërisht Merkel i dërgoi të hënën një mesazh të fortë Athinës nga Berlini, duke i bërë thirrje që të miratojë sa më shpejt paketën financiare të radhës dhe planin për ristrukturimin ekonomik.

“Ndryshe, nuk do të jemi në gjendje që të paguajmë këstin e radhës për Greqinë”, paralajmëroi kancelarja, gjatë një konference për shtyp nga Berlini me presidentin francez Nicolas Sarkozy.

Shteti helen ndodhet në një pozitë shumë të vështirë. Pak ditë më parë kryeministri Lukas Papadhimos deklaroi se Greqia mund të falimentojë plotësisht në mars, nëse sindikatat nuk pranojnë reduktime të mëtejshme të pagave.

“Duhet të reduktojmë pagat në sektorin privat për t’u bërë më kompetitivë, përndryshe do të falimentojmë duke dalë edhe nga eurozona”, paralajmeroi ai në një takim me përfaqësuesit e industrialistëve grekë dhe të Unionit të Sindikatave të sektorit privat, që shprehën kundërshtimet e tyre.

Top Channel