Prokuroria gjermane kërkoi sot dënimin me burgim të përjetshëm të të riut kosovar Arid Uka, i cili vitin e kaluar vrau në aeroportin e Frankfurtit dy ushtarë amerikanë.

Sipas agjencisë së lajmeve “INA”, prokurorët kërkuan dënimin në fjalë pasi e konsiderojnë 21-vjecarin fajtor për vrasje të dyfishtë dhe tentativë të trefishtë vrasjeje.

Në seancën e parë të procesit ndaj tij, më 2 mars, Uka pranoi para trupit gjykues autorësinë e vrasjes së dy ushtarëve dhe të plagosjes së dy të tjerëve.

Ai tha se kishte sulmuar marinsat pasi kishte parë një video ku ushtarët amerikanë në Afganistan plackisnin një familje vendase dhe dhunonin vajzat e saj.

Ndërkohë, një tjetër ushtar që ishte në shënjestrën e kosovarit të lindur në Frankfurt shpëtoi pasi në momentin kur autori po qëllonte, pistoleta e tij u bllokua.

Autoritetet gjermane kanë deklaruar se Uka nuk ka vepruar për llogari të ndonjë celule islamike, por ishte kthyer në një ekstremist pikërisht duke parë dhe lexuar materiale islamike në libra dhe në internet.

Në dëshminë e tij, ai ka thënë se me aktin e tij ishte përpjekur të ndalonte rrugëtimin e ushtarëve amerikanë për në Afganistan.

Ndërsa një marins që dëshmoi pak kohë më parë në proces deklaroi se në momentin e të shtënave kishte vënë re urrejtje në sytë e 21-vjecarit, vendimi për të cilin pritet të jepet më 19 janar.

Veprimi i Arid Ukës indonjoi vetë popullin kosovar, i cili i shprehu ngushëllimet e tij popullit amerikan dhe ndezi qirinj pranë selisë së ambasadës amerikane në Prishtinë.

Top Channel