Berisha mbyll vizitën në Paris

07/01/2012 19:55

Gjatë qëndrimit në Paris, ku mori pjesë në punimet e seminarit “Bota e Re 2012”, Kryeministri Berisha ndoqi punimet e ditës së dytë të seminarit, i cili u mbyll nga Kryeministri italian, Mario Monti.

Më pas kryeministri Berisha u takua me Sekretarin e Shtetit të ngarkuar për Ekonominë dhe Tregtinë e Jashtme, Pierre Lellouche, i njëjti që loboi pranë qeverisë shqiptare për blerjen e helikopterëve nga kompania Eurocopter, pjesë e konsorciumit europian EADS dhe që në momentin e përmbylljes së kontratës erdhi në Tiranë dhe i ofroi një mbështetje publike qeverisë Berisha.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, sekretari Lellouche i shprehu Kryeministrit Berisha urimet e tij në lidhje me suksesin e ekonomisë shqiptare, në këtë periudhe krize mbarëbotërore. Ai tha se interesi për bashkëpunim i qeverisë dhe sektorit privat francez është rritur. Një pjesë të këtij interesi Kryeministri Berisha pati rast ta konstatojë personalisht, gjatë takimit me Patric Kron, CEO-ja e ALSTOM, gjigandi botëror i transportit dhe energjisë.

Po sipas njoftimit të kryeministrisë, numri një i ALSTOM i paraqiti Kryeministrit Berisha vendimin e Bordit të ALSTOM për të qenë prezent në Shqipëri me projekte në fushën e transportit.

Zoti Kron theksoi interesin e kompanisë së tij në ndërtimin e tramit në Tiranë. Kryeminisitri Berisha mori pjesë në fund në pritjen e dhënë në Elysee nga Presidenti i Republikës franceze, Nicolas Sarkozy.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA