Deklarata e të ardhurave personale

06/01/2012 00:00

Qeveria ka shtyrë afatin e dorëzimit të deklaratës individuale të të
ardhurave për efekt të pagesës së taksave, i cili ishte parashikuar të
dorëzohej i plotësuar nga cdo qytetar në datën 30 prill.

“Duke qenë se ne e shtymë Ligjin për Amnistinë Fiskale, natyrisht shtymë edhe afatin e dorëzimit të deklaratës së parë të të ardhurave. Dua të sqaroj, se e drejta për të dorëzuar ka nisur që me datë 1 janar, por duke qenë se ne shtymë Ligjin për Amnistinë Fiskale, afatin 30 prillit e shtymë deri në fund të shtatorit, pikërisht për t’i lënë mundësi individëve që të mund të deklarojnë, fillimisht, të legalizojnë kapitalin dhe pastaj duhet të dorëzojnë dhe deklaratën”, tha zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj.

Vec afatit të dorëzimit, qeveria ka bërë edhe disa ndryshime të tjera të rëndësishme në ligj. Qeveria ka rritur kufirin e te ardhurave vjetore, mbi te cilin individët janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën, që fillimisht ishte parashikuar 200 mijë lekë në vit.

“Detyrimin për deklarim tashmë e kanë individët që kanë të ardhura vjetore 2 milionë lekë të reja në vit dhe që i kanë të ardhurat më shumë se nga një burim. Individët që kanë të ardhura vetëm nga një burim dhe që tatohen nuk përfshihen në këtë kategori. Të drejtën për të deklaruar natyrisht e ka cdo individ që krijon një të ardhur dhe që do të përfitojë nga shpenzimet e zbritshme”, sqaron Rushaj.

Ne ligj percaktohet gjithashtu se te gjithe ata individë që kanë të ardhura deri në 1 milionë lekë në vit do t’u rimbursohen tre zëra shpenzimesh.

“Ligji njeh 3 shpenzime të zbritshme. Më kryesori dhe që do të ketë peshë dhe që do të jetë i ndjeshëm për individët që kanë të ardhura të pakta janë shpenzimet shëndetësore. Së dyti janë shpenzimet për interesat e kredive që individi deklarues apo fëmijët e tij mund të marrin për shkollim. Së treti janë shpenzimet për pensionet vullnetare”, theksoi Rushaj.
 
Deklarat që do të dorëzohen nga individët do të shërbejnë edhe si burim informacioni për tatimet në luftën kundër evazionit. Por cfarë ndodh për një qytetar, i cili mund të ketë një sasi të ardhurash që janë krijuar nga vitet para 2011 dhe që nuk mund të justifikohen me deklaratën e të ardhurave. Qeveria thotë se e ka krijuar mundësinë për deklarimin e tyre.

“Drejtoritë Rajonale të Tatimeve do të kenë kompetencën për të lidhur të ardhurat e deklaruara me shpenzimet e bëra. Cdo individ, i cili nuk ka legalizuar kapitalin sipas Ligjit për Amnistinë Fiskale,që ka deklaruar të ardhura minimale dhe që ka shpenzime që e tejkalojnë disa herë atë cfarë është deklaruar do të jetë subjekt i kontrolleve tatimore”, sqaron Rushaj.

Kjo është hera e para kur shqiptarët do të detyrohen që të deklarojnë të ardhurat e tyre.


Formulari i deklarates së të ardhurave

Duke filluar nga data 1 tetor i këtij viti cdo individ, që në vitin 2011 ka patur të ardhura më të mëdha se 2 milionë lekë në vit, nga më shumë se një burim, është i detyruar me ligj të dorëzojë tek zyra e taksave një deklaratë të ardhurash, që shërben për efekt të pagesës së taksave.

Formulari që do të plotësohet do të jetë standard i përgatitur nga Ministria e Financave online, por edhe i printuar pranë zyrave të postës dhe taksave. Pasi qytetarët ta plotësojnë mund të zgjedhin vetë se si do e dërgojnë ose online ose përmes postave ose drejtpërdrejtë tek tatimet.

Sipas ligjit, ata individë që i kanë të ardhurat vjetore deri në 1 milionë lekë për gjithë vitin kanë të drejtën të marrin para mbrapsht nga taksat për shpenzimet që kanë bërë në tre zëra. Që janë shpenzimet për kurim, ato për interesat e kredive të marra për shkollim dhe dhe kontributet që kanë paguar në skemat vullnetare të pensioneve. Në rastin e shpenzimeve për kurim, shuma e përfitimit që një qytetar mund të marrë mbrapsht nga taksat është e kufizuar  në masën 8 mijë e 500 lekë në vit si individ ose 32 mijë lekë për familje. Shpenzimet për shkollim janë të pakufizuara, ndërsa ato për konbributet vullnetare përcaktohen nga ligji për pensionet suplementare.

Si do të jetë procedura e përfitimit?

Në rastin e shpenzimeve për kurim cdo qytetarë do të paraqesë faturat për ilacet e vlera në farmaci apo vizitat mjekësore që ka kryer gjatë vitit. Në këto fatura farmacistët dhe mjeku do të shënojnë numrin e kartës së identitetit të qytetarit me pagesën përkatëse dhe më pas qytetari do e dorëzojë tek tatimet.

Ndërsa për dy zërat e tjerë individët do të paraqesin deklaraten e pagesave per kredine e shkolles qe e marrin nga banka dhe kontraten qe kane me shoqërinë e sigurimeve ku janë të siguruar vullnetarisht.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta