Profesori gjerman i cështjeve ekonomike dhe një ndër arkitektët e monedhës euro, Otmar Issing deklaroi se Banka Qendrore Europiane ishte paralajmëruar për risqet që do të përballej monedha e përbashkët dhe se me largimin e Greqisë, euro do të mund të dilte nga kriza.
“Ne i dërguam një peticion Jean-Claude Trichet me të dhëna nga studimet tona se kostoja e punësimit po devijohej në mënyrë dramatike”, thotë Issing.
Profesori gjerman, që aktualisht drejton një qendër studimore financiare në Frankfurt, tha se ishte paralajmëruar BQE që në fillim të prezantimit të euros. Issing shton se hedhja e euros si një monedhë e përbashkët në vende me divergjenca ekonomike të mëdha “ishte një eksperiment” që dihej se do të pasonte kriza.
Si shembull profesori merr të dhënat e fundit përsa i përket papunësisë të paraqitura nga Gjermania dhe Spanja. Dy vende me të njëjtën monedhë, thotë ai, raportojnë njëra papunësinë në nivelet më të ulta historike në 20 vitet e fundit, vetëm 6.8 përqind, ndërsa tjetra në nivele rekord prej 23 përqindësh.
Duke u ndalur tek kriza e borxhit grek, Issing thotë se vendet e eurozonës duhet të veprojnë me kujdes duke vënë parësore të ardhmen e monedhës së përbashkët, e jo të Greqisë.
Për të shpjeguar më qartë, Issing zgjodhi një zhargon akoma më të thjeshtë:
“E zëmë se monedha euro është një klub, një klub ku nuk lejohen duhanpirësit. Por disa nga anëtarët e klubit nisën të pijnë sërish, cfarë duhet të bëjmë në tani? Ta kthejmë klubin në një klub duhanpirësish?!”, tha profesori gjerman.
Issing ka qenë anëtar i bordit të BQE-së nga vitit 1998 deri në vitin 2006 si dhe drejtor ekzekutiv i ekonomisë pranë kësaj banke.
Top Channel