Viti 2013 do ta gjejë Kosovën pa asnjë autoritet ekzekutiv ndërkombëtar. Kështu të paktën synon qeveria e Kosovës që këtë vit të përmbyllë mbikëqyrjen e pavarësisë nga të huajt.
Kjo pavarësisht faktit se plani i Ahtisarit nuk është zbatuar tërësisht. Dështimi i krijimit të komunës në Veriun e Mitrovicës nuk është pengesë për këtë proces. Sipas zyrtarëve qeveritar në Veri ka nevojë për rend dhe ligj dhe zyra civile ndërkombëtare nuk ka fuqi ta kthejë atë, rrjedhimisht prezenca e saj është e panevojshme.
Përmbyllja e plotë pavarësisë së mbikëqyrur, lufta kundër korrupsitoni dhe krimit të organizuar dhe zhvillimi ekonomik janë në fakt prioritetet e qeverisë së Kosovës për vitin 2012 të cilat i paraqiti kryeministri Hashim Thaci në mbledhjen e parë për këtë vit.
Nga ana tjetër zëvendëskryeministri Hajredin Kuci bëri të ditur se qeveria e Kosovës ka hartuar dy plane nëpërmjet të cilave synohet transferimi i kompetencave nga EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare te institucionet e Kosovës. Këto plane janë dorëzuar në Bruksel në tetor të 2011-s. Sipas Kucit Zyra Civile Ndërkombëtare do të shuhet këtë vit ndërsa kompetencat e EULEX-it do të përgjysmohen.
Pa dhënë shumë detaje, zëvendëskryeministri kosovar tha se do të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës dhe disa ligje. Sa i përket Kushtetutës, ndryshimet do të prekin dispozitat kalimtare të cilat flasin për rolin ekzekutiv të zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë.
Është neni 146 i Kushtetutes i cili jep mandat ekzekutiv Zyrës Civile Ndërkombëtare. Sipas Kushtetutës, Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil, që në këtë rast është Pieter Faith dhe organizatat e aktorët e tjerë ndërkombëtarë të mandatuar sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007, kanë mandatin dhe kompetencat e përcaktuara duke përfshirë zotësinë juridike si dhe privilegjet dhe imunitetet e përcaktuara me planin e Ahtisarit.
Top Channel