I dërguari i posacëm i OKB-së për cështjen e emrit, Metju Nimic ka organizuar mbajtjen e takimit të radhës mes negociatorëve grekë dhe atyre maqedonas.

Agjencia e lajmeve “INA”, që i referohet zyrës së shtypit të zotit Nimic, bën të ditur se takimi do të mbahet në datat 16 dhe 17 janar, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Dy palët e interesuara në këtë kontekst, Shkupi dhe Athina, do të paraqiten nga negociatorët përkatës, Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis, të cilët kanë pranuar ftesën.

Mësohet se Nimic do të zhvillojë takime të ndara me dy ndërmjetësit dhe më pas do të përpiqet të përafrojë qëndrimet mes tyre në mënyrë që në këtë takim të arrihet progres.

Ky i bie të jetë takimi i parë mes palës greke dhe asaj maqedonase pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që penalizoi Greqinë për shkeljen e marrëveshjes së përkohshme me Maqedoninë.

Gjithësesi, vendimi në fjalë, që sugjeronte që Athina të mos pengojë më proceset integruese të Maqedonisë, nuk e ka ndryshuar aspak situatën për vendin që synon të afrohet me BE-në dhe NATO-n.

Top Channel