Kryetari i Partisë Progresiste Serbe, Tomisllav Nikolic ka deklaruar se
Beogradi nuk do të heqë kurrë dorë nga politika “Edhe Kosovën, edhe
BE-në”.

“Pra, është e qartë. Kosova para BE-së dhe kështu duhet të mbeten gjërat në Serbi”, ka pohuar politikani nacionalist, i cili ka influencë të fortë tek strukturat paralele serbe.

Nikolic ka theksuar se partia e tij mbështet gjithcka që është bërë deri tani për Kosovën dhe që ka qenë në interes të Serbisë, ndërkohë që ka kritikuar bisedimet dypalëshe.

“Populli nuk e di se për cfarë është biseduar me Prishtinën. Është kjo mungesë transparence që ka sjellë situatën kur askush nuk beson se qeveria po mbron Kosovën”, ka thënë Nikolic.

Politikani radikal ka shtuar më tej se Kushtetuta e Serbisë e përcakton qartë se Kosova është krahinë autonome e saj dhe jo një shtet i pavarur.

Një deklaratë të ngjashme bëri pak kohë më parë edhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic, i cili tha se Serbia nuk do të eliminojë strukturat e saj paralele në veri të Kosovës.

Bogdanovic u shpreh se kërkesa për tërheqjen e institucioneve nga veriu ishte “tërësisht e papranueshme” për autoritetet e Beogradit.

”Kërkesa që Serbia të tërheqë institucionet e saj nga veriu i krahinës, të cilat nuk janë paralele, por janë të vetmet institucione të ligjshme, është tërësisht e papranueshme”, deklaroi Bogdanovic.

Ai nënvizoi se diçka e tillë ndalohet në radhë të parë nga Kushtetuta, e cila detyron Beogradin që të garantojë të drejtën për kujdes shëndetësor, arsimim, punësim dhe për mbrojtje civile ndaj të gjithë qytetarëve në territorin e Serbisë.

Ndërsa i ashtuquajturi sekretari Shtetëror i Ministrisë për Kosovën, Oliver Ivanovic theksoi se më lehtë do të ishte sikur bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina t’i pranonin institucionet e Serbisë.

Ivanovic sqaroi se është e domosdoshme që Serbia të ketë institucionet e saj në Kosovë, pasi kjo ka të bëjë me një shërbim që të gjithë qytetarët e Serbisë në Kosovë duhet ta kenë.

Ai u shpreh se arsimi dhe shëndetësia nuk mund të jenë institucione paralele, ndërkaq për pushtetin lokal do të jetë vështirë të anulohet pasi qytetarët, e sidomos në Veri, nuk kanë alternativa të tjera.

“Qeveria do të duhet të flasë më shumë me serbët e Veriut dhe t’i ketë ata partnerë në zbatimin e disa kushteve të vëna nga Brukseli”, nënvizoi Ivanovic.

Por, siç tha ai, presioni i shtuar tek serbët ndikon negativisht dhe pakënaqësia me Europën rritet edhe më shumë pasi serbët ndjehen se kanë kushte të dyfishta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA