Presidenti serb, Boris Tadic ka kritikuar planet e politikanëve serbë në veri të Kosovës për të mbajtur një referendum për pranimin ose jo të autoritetit të institucioneve kosovare.

Tadic ka deklaruar se referendumi në fjalë vetëm sa do të thellojë krizën që ka përfshirë veriun dhe do të shkaktojë një reagim ndërkombëtar.

“E tërë bota e di se serbët nuk i pranojnë institucionet e Kosovës dhe referendumi nuk është i nevojshëm”, është shprehur presidenti serb.

Serbët e Kosovës vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët në veri që prej korrikut, kur autoritetet e Prishtinës zyrtare ndërmorrën një operacion për shtrirjen e autoritetit.

Ligjin në këtë zonë e bëjnë strukturat kriminale serbe, të cilat kanë shkaktuar një seri incidentesh me trupat ndërkombëtare të KFOR-it.

Incidentet në fjalë bënë që, me insistimin e Gjermanisë dhe Austrisë, Bashkimi Evropian në fillim të muajit t’i refuzonte Serbisë dhënien e statusit të kandidatit.

Vetë presidenti Tadic dhe zyrtarë të tjerë serbë deklaruan se refuzimi kishte ardhur pasi u kishte vënë kusht njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata në fjalë u përgënjeshtrua nga zyrtarë të ndryshëm të BE-së, të cilët i quajtën deklaratat e Beogradit zyrtar si të pavërteta.

Pak ditë më parë, ndërmjetësi i BE në bisedimet teknike Kosovë-Serbi, Robert Cooper deklaroi se Beogradit nuk do t’i vendoset si kusht njohja e Kosovës për t’u afruar me BE-në.

Ndërsa ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic deklaroi se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën, gjë të cilën atij ia kanë bërë të qartë homologë të disa vendeve perëndimore.

Top Channel