Mijëra veteranë dhe invalidë të luftës së UÇK-së kanë protestuar të premten në Prishtinë, duke kërkuar ndryshimin e ligjit për vlerat e luftës. Kreu i veteranëve, Muharrem Xhemjali, ka kritikuar liderët shtetërorë të vendit.

Ai ka thënë se qeveria i mashtroi duke cunguar ligjin për vlerat e luftës, ligjvënësit shkelën mbi veteranët kur votuan këtë ligj, kurse për presidenten Jahjaga ka thënë se dëshmoi se është vetëm një kukull dhe nuk përfaqëson kurrfarë uniteti në Kosovë.

“I bëjmë kërkesë presidentes së Kosovës që të mos nënshkruajë këtë ligj dhe ta kthejë atë për rishqyrtim në Kuvend. Presidentja po tregon që nuk është faktor uniteti ashtu siç duhet të jetë, por një kukull dhe një mjet i politikës vendore dhe asaj ndërkombëtare”, u shpreh Xhemajli.

Xhemajli ka paralajmëruar se nuk do të ndalen gjersa ta ndryshojnë ligjin për vlerat e luftës duke paralajmëruar se do t’i përdorin të gjitha format për ta arritur këtë.

Ai ia ka bërë me dije kryeministrit Thaçi dhe të gjithë atyre që cunguan ligjin se lufta e UÇK-së ka nisur shumë vjet para vitit 1997 dhe jo ashtu siç e kanë parafrazuar hartuesit e këtij ligji.

Pas një ore proteste veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së u shpërndanë të qetë.

Top Channel