Arrestimi i kryemurgut të manastirit Vatopedhi, Efraim dhe cuarja e tij në bankën e të akuzuarve si  një prej të pandehurve kryesore në çështjen e quajtur nga mediat si “Skandali Vatopedi”, ka  shkaktuar një tension të paparë në marrëdhëniet diplomatike mes Moskës dhe Athinës.

Ministria e Jashtme ruse nëpërmjet zëdhënësit të saj Aleksandër Lukashevic ka shfaqur shqetësimin e thellë për vendimin e burgosjes së kryemurgut duke cilësuar se organet greke nuk respektojnë këshillat e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Arkimandriti grek gëzon një respekt të jashtëzakonshëm në Rusi, sidomos pasi ka bërë të mundur në muajin tetor, dërgimin për herë të parë jashtë kufijve të Greqisë, të Brezit të Virgjereshës, një relike e shenjtë të cilën e kanë ndërruar më shumë se 2 milionë ortodoksë rusë.

Nga ana e saj Ministria e Jashtme greke nëpërmjet zëdhënësit të saj Grigoris Delavekuras ka deklaruar se Greqia nuk pranon t’i tregojnë të tjerët si të zbatojë vendimet drejtesia. Por replikat kanë vazhduar me një mesazh që ka cuar patriarku i Moskës, Kirilli, presidentit grek Papulias me anë të të cilit i kërkon të anashkalohen vendimet institucionale dhe të lirohet arkimandriti.
 
Lajmit i është dhënë një rëndësi e paparë në mediat ruse që theksojnë  shqetësimin e miliona besimtarëve, jo vetëm në Rusi, por edhe në Ukrahinë, Bjellorusi dhe Moldavi, ndërsa mitingje protestë zhvillojnë cdo ditë organizatat ortodokse, para ambasadës greke në Moskë.

Skandali i Vatopedhit është zbuluar nga mediat greke në vitin 2008, kur qeveria dhe “Vatopedhi”, njëri nga 20 manastirët e “Malit të Shenjtë” të Athosit, ranë në një marrëveshje për të shkëmbyer një liqen, pronë e manastirit, me disa troje rreth këtij liqeni, që manastiri u’a shiti më pas me një vlerë shumë të madhe disa kompanive private, një aferë që vlerësohet se dëmtoi shtetin me të paktën 100 milion euro.

Vetë kryemurgu në një prej dëshmive të tij të fundit ka pranuar se shkëmbimet e pronave kanë qenë zgjedhje dhe vendim i qeverisë konservatorë të kryeministrit të asaj periudhe, Kostas Karamanlis, ndërkohë që përgjegjësitë penale të ministrave të atëhershëm, tashmë janë fshirë nga vetë drejtësia.

Top Channel