Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner është diagnostikuar me kancer dhe do të kryejë një operacion në datën 4 janar, njoftoi administrata e saj.
Ajo vuan nga kanceri në gjëndrën tiroide, por sëmundja nuk është përhapur në pjesë të tjera të trupit të saj, tha një zëdhënës.
Znj. Fernandez, 58-vjeç, kohët e fundit filloi detyrën si presidente në mandatin e saj të dytë, pas një fitore bindëse të zgjedhjeve.
Burri i saj, ish-presidenti Nestor Kirchner, vdiq vitin e kaluar pas pësimit të një ataku në zemër.
Zonja Fernandez do të tërhiqet si presidente për 20 ditë, deri në 24 janar, ndërsa zëvëndësi i saj, Amado Boudou do marrë përsipër detyrën.
Kanceri u zbulua më 22 dhjetor gjatë testeve rutinë mjekësore, tha zëdhënësi Alfredo Scocimarro.
Korrespondenti i BBC-së në Buenos Aires tha se lajmi ka qenë shumë shokues për popullin në Argjentinë.
Fernandez u bashkohet një sërë liderash amerikano-jugorë që janë diagnostikuar me këtë sëmundje.
Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, lideri paraguajan Fernando Lugo, dhe ish-presidenti brazilian Lula a Silva, të gjithë janë operuar vitin që shkoi.
Top Channel