Liderët politikë të tre komuniteteve kryesore në Bosnje e Hercegovinë kanë njoftuar se kanë arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë qendrore.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ballkanase, sipas të cilave me këtë marrëveshje ka marrë fund kriza politike që zgjaste prej 14 muajsh, kur dhe u mbajtën zgjedhjet parlamentare.

Sipas burimeve, krerët politikë të komunitetit serb, atij kroat dhe atij mysliman kanë aprovuar edhe një ligj për bilancin e vitit 2011.

Gjithashtu, është rënë dakord për një numër të caktuar ligjesh që i hapin rrugë afrimit të Bosnjes me Bashkimin Evropian, si dhe zhbllokojnë ndihmat e FMN-së dhe BE-së.

Por pavarësisht kësaj marrëveshjeje, analistët mendojnë se BeH do të vijojë të ketë problemin e unitetit, për shkak të qëndrimeve të presidentit të Republikës Serbe, se vendi do të ndahet.

Pak kohë më parë presidenti Milorad Dodik deklaroi se, Bosnja ndodhet në fazën e shpërbërjes dhe se atë nuk do të mund ta ndihmojë askush, madje as Shtetet e Bashkuara.

Por presidenti i palës boshnjake, Bakir Izetbegovic reagoi duke deklaruar se Bosnja nuk do të bëhet kurrë pjesë e Serbisë së madhe.

Në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve “Anadollia”, Izetbegovic paralajmëroi se ata që do të nxisin këtë gjë do të përballen me probleme serioze.

Top Channel