Qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski po e con Maqedoninë drejt izolimit. Analistët në Shkup vlerësojnë se vendi po shënon regres në procesin e integrimit, për shkak të mos zgjidhjes së problemit me Greqinë lidhur me emrin, por edhe për shkak të mos përmbushjes së reformave të nevojshme për anëtarësim në NATO dhe BE.

“Në vitin 2004 Maqedonia ishte lider në Ballkanin Perëndimor, para Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi që ende nuk ishte shtet i pavarur. Sot Maqedonia mbetet shumë pas Kroacisë, ndërsa Mali i Zi  ka gjasa të integrohet në BE para Maqedonisë. Sic po shihet, për fat të keq ne kemi ngelur në një grup me vendet që kanë probleme institucionale, sic janë Bosnje Hercegovina dhe Republika e Kosovës. Ky është kthim mbrapa për Maqedoninë”, thotë Nano Ruzhin, ish-diplomat.

Analisti Kim Mehmeti, vlerëson se ngecja e Maqedonisë në proceset integruese më së shumti dëmton interesat e qytetarëve shqiptarë, të cilët gjithmonë në përqindje të lartë janë shprehur pro integrimeve euro-altantike. Ai kritikoi partinë shqiptare në pushtet se nuk është e aftë të ballafaqohet me politikën izoluese të kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Shqiptarët nuk i mban peng Gruevski, por i mban peng politika e paaftë shqiptare. Injoranca politike shqiptare i mban peng shqiptarët e Maqedonisë. Është gabim të mendohet se Gruevski i mban peng. Sikur politikanët tanë shqiptarë të kishin vizion për këtë shtet dhe për shqiptarët në këtë shtet, atëherë Gruevski shumë pak mund të manipulonte me shqiptarët”, deklaron analisti Kim Mehmeti.

Sipas analistëve, për të dalë nga kjo situatq, Maqedonia duhet të përmirësojë raportet me miqtë ndërkombëtar dhe me vendet fqinje si dhe të bëjë demokratizimin e brendshëm të shoqërisë.

Top Channel