Viti 2011 ka qenë një vit në të cilin diplomacia kosovare mbeti larg standarteve të pretenduar, shkruan “Zëri” në një editorial të tijin.

Duke analizuar përpjeket e qeverisë dhe të Ministrisë së Jashtme, e përditshmja kosovare veçon faktin se “në total janë realizuar vetëm 13 njohje, ndërsa pozita e pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën vazhdon të jetë e njëjtë”.

Ndryshe nga qeveria e kaluar, kur me çështjet e njohjes merrej eksluzivisht Ministri i Jashtëm, angazhimi i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli në këtë çështje me rëndësi madhore për Kosovën nuk ka sjellë ndonjë rezultat evident.
 
Përgjatë 2011-s, shtetin e Kosovës e kanë njohur 13 vende, nga të cilat Katari, Republika e Guinea-Bissaut dhe Sulltanati i Omanit e kanë njohur Kosovën në kohën kur vendi ka pasur një qeveri në largim, përpara se Thaçi të rikonfirmohej tetë muaj më parë.

Drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Alban Bokshi, thotë se përzierja e kompetencave brenda qeverisë për politikën e jashtme ka bërë që Kosova të mos njihet nga shumë vende. Sipas tij, gjatë tërë vitit ka ekzistuar një garë mes Hoxhajt dhe Pacollit, se cili po sjell më shumë njohje.

“Në vend se të kemi fokusim në njohje, ka pasur fokusim në atë se kush është më i forti”, ka thënë ai.

Ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, thotë se Kosova nuk dërgon një mesazh të unifikuar në botë, përderisa janë të shpeshta rastet kur përfaqësuesit e qeverisë japin qëndrime të ndryshme për çështje të njëjta.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, të shtunën ka thënë se ka bërë punë të madhe në raport me diplomacinë dhe se “nuk është e rëndësishme se sa njohje ka Kosova, por sa miq ka krijuar”. Ndërsa, zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, thotë se drejtuesit e MPJ-së janë të kënaqur me numrin e njohjeve, sepse ky dikaster “nuk ka bërë më shumë se tetë-nëntë muaj punë efektive”.

Top Channel