Komisioni Europian akuzohet për fshehje të informacionit në përpilimin e raportit të progresit mbi Serbinë që u publikua në tetor.

Të gjelbërit në Parlamentin Europian thonë se ky raport publik është tepër pozitiv mbi reformën gjyqësore, ndryshe nga çfarë kishte informuar Delegacioni i BE-së në Beograd.

Dokumenti konfidencial i monitorimit ngrinte shqetësime serioze mbi proçesin e përzgjedhjes për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, dënonte mungesën e transparencës ndaj publikut, vërente se proçesi i ankimimit nuk ishte bërë në përputhje me rregulloren, si dhe ngrinte dyshime për influenca politike në reformën e drejtësisë, pasi, me pretekstin e moshës, ishin diskriminuar gjyqtarë të konsideruar më të pavarur ndaj ekzekutivit.

“Të gjitha vendimet gjatë proçesit të rishikimit janë bërë vetëm për të kënaqur formën dhe është një shembull i shtrembërimit të drejtësisë”, thuhej ndër të tjera në dokumentin e Delegacionit të BE-së në Beograd.

Ndërkohë që raporti i progresit vlerësonte në tetor të kundërtën. “Rishikimi i gjyqtarëve deri tani është kryer në mënyrë të kënaqshme. Pavarësisht disa parregullësive proceduriale, shumica e vendimeve është marrë në përputhje me udhëzimet,” sipas Komisionit.
 
Eurodeputetja hollandeze, Marije Kornelisen i ka kërkuar shpjegime për këtë mospërputhje komisionit.

“Ne duhet të jemi në gjendje të besojmë informacionin e Komisionit Europian. Ky është informacioni në të cilin bazohet Parlamenti dhe Këshilli i BE-së për të marrë vendim,” shprehet ajo. “Askujt nuk i shërben fshehja nën qilim e dështimeve. As BE-së, as Serbisë. Problemet duhet tëdiskutohen me qëllim që të zbatohen reformat e nevojshme,” shton Kornelisen.

Të gjelbrit shprehen pro anëtarësimit të Serbisë në BE, “por ne presim nga Komisioni një vlerësim të ndershëm mbi progresin e Serbisë,” thuhet në komunikatën e posaçme për shtyp, duke i kërkuar këtij institucioni që të trajtojë problemet e reformës gjyqësore në Serbi.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel