“Piktura e jetës moderne” është edhe titulli i ekspozitës së fundit të hapur nën emrin e Onufrit në Galerinë e Arteve, në Tiranë.
Ky aktivitet i përvitshëm këtë radhë mbledh nën një strehë një numër të madh veprash artistike, të cilat i përkasin periudhave dhe stileve të ndryshme.
Mbi 20 artistë shqiptarë marrin pjesë në këtë edicion dhe sjellin më pranë publikut disa nga punët e tyre më të arrira.
Ekspozita sjell një mënyrë ndryshe të pari mbi artin tonë, duke u nisur nga nocioni i modernitetit, të cilin këtë herë e kërkon në Shqipëri, duke sjellë më pranë artdashësve krijime të ndryshme, si fotografi të viteve ‘15-‘30, piktura të viteve ‘60-‘80, por edhe vepra artistike të ditëve tona.
E gjithë tematika është frymëzuar nga një ese me të njëjtin emër që poeti francez Charles Baudelaire botoi në vitin 1863 në Paris.
Ekspozita simbolizon një thirrje apo përpjekje për ta ruajtur artin shqiptar nga klishetë të cilat shpeshherë e kategorizojnë atë.
Përshkrimi me anë të pikturave apo fotografive i aspekteve kryesore jetësore është dhe subjekti kryesor që haset në shumë nga krijimet.
Ekspozita “Onufri” do të qëndrojë e hapur deri në datën 5 shkurt të vitit 2012.
Top Channel