Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadorit të tyre në Shkup, kanë inkurajuar vazhdimin e bisedimeve greko-maqedonase për cështjen e emrit kushtetues.

Gjatë një takimi me zv.kryeministren për Cështjet e Integrimit, Teuta Arifi, ambasadori Paul Wohlers ka deklaruar se Uashingtoni është kundër tërheqjes së Greqisë nga negociatat, për shkak të krizës ekonomike.

“SHBA nuk kanë informacione se Greqia po planifikon të tërhiqet nga marrëveshja e përkohshme. Ne nuk duam të spekulojmë me situata të tilla hipotetike”, ka deklaruar Wohlers.

“Por, në rast se kjo do të ndodhë, atëherë do të thotë ndërprerje të bisedimeve, gjë të cilën Uashingtoni nuk e përkrah”, ka theksuar diplomati amerikan.

Wohlers ka pohuar se SHBA mbështesin procesin e bisedimeve nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara dhe ka vlerësuar se vendimi i GJND-së përbën një mundësi për përtëritjen e tij.

Ndërsa zonja Arifi, nga ana e saj, ka theksuar se ka mbetur e kënaqur me ecurinë e takimeve të zhvilluara së fundmi në SHBA, me eksponentë të administratës amerikane.

“SHBA janë partnerë strategjik të Maqedonisë. Neve nuk na është dhënë ndonjë afat kohor, por na është thënë që të kontribuojmë për të tejkaluar kontestin”, ka thënë Arifi.

Dy ditë më parë, analisti i cështjeve të Ballkanit, Tim Judah u shpreh pesimist për zgjidhjen e cështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë brenda një kohe të shkurtër.

Mosnjohja e termit “Republika e Maqedonisë” nga ana e Greqisë ka bërë që vendit ballkanas t’i bllokohet afrimi me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, edhe pse Brukseli ka dhënë dritën jeshile për hapjen e negociatave.

Situata nuk ka ndryshuar edhe pse më 5 dhjetor Gjyka Ndërkombëtare e Drejtësisë pranoi padinë e Shkupit, duke penalizuar Greqinë për shkeljen e Marrëveshjes së Përkohshme të nënshkruar në vitin 1995.

Rreth një javë më parë, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski akuzoi Greqinë se nuk është e interesuar për të zgjidhur kontestin dypalësh.

Top Channel