Qeveria e Serbisë do të zbatojë marrëveshjen për lëvizje të lirë që nga java e ardhshme dhe kartat e identitetit me mbishkrimin Republika e Kosovës, targat dhe patentat për shoferët do të hyjnë në fuqi.

Millivoje Mihajllovic ka bërë të ditur për Top Channel se qeveria e Serbisë ka miratuar një urdhëresë, në bazë të së cilës rregullohet qarkullimi i banorëve të Kosovës me dokumente të Kosovës dhe jo të Serbisë.

Sipas tij, kjo rregullore do të hyjë në fuqi që të hënën e ardhshme. Megjithatë, ekzistojnë disa rregulla që duhen ndjekur. Targat e vjetra “KS”, që nuk lëshohen më në masë të madhe, do të mund të qarkullojnë pa problem.

Ato “RKS” do të zëvendësohen me targa provuese që do të paguhen deri në 100 euro, ndërsa edhe për dokumentet do të jepen disa dokumente të lëshuara nga policia kufitare, ose një letër e bardhë që do të vlejë si dokument zyrtar për një hyrje dhe dalje.

Mihajllovic ka thënë se edhe për marrëveshjet e tjera do të merren vendime, por duhet që qeveria të diskutojë për këtë, e sidomos për menaxhimin e kufijve.

Mediat serbe kanë shkruar se vendimi për lëvizjen e lirë mund t’u kushtojë qytetarëve, e sidomos serbëve të Kosovës, që mund të detyrohen të marrin targat e Kosovës.

Top Channel