Në Prishtinë është përkujtuar të premten 22-vjetori i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot partia më e madhe e opozitës parlamentare.

Me këtë rast, kryetari i partisë, Isa Mustafa dhe drejtues të tjerë kanë bërë homazhe tek varri i themeluesit të subjektit politik, Ibrahim Rugova.

Në fjalën e tij, Mustafa ka vlerësuar kontributin e Rugovës në themelimin dhe zhvillimin e LDK-së, si dhe përpjekjet e tij për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj në arenën ndërkombëtare.

“Përmes kontributit të tij Rugova afirmoi Kosovën në arenën ndërkombëtare, ndërsa më shpirtin e tij humanitar, me idetë dhe dijen e tij ai kontribuoi që Kosova të respektohet edhe në momentet më të vështira nga vendet e tjera”, ka deklaruar Mustafa.

Kryetari i LDK-së ka shtuar më tej se falë aktivitetit të kësaj partie dhe themeluesit të saj, sot Kosova gëzon lirinë, pavarësinë dhe po kthehet në një shtet të konsoliduar.

Pas ndarjes nga jeta të Rugovës, drejtimin e LDK-së e mori Fatmir Sejdiu, i cili u zgjodh edhe president i Kosovës, duke luajtur një rol kyc në negociatat për statusin dhe më pas në shpalljen e pavarësisë.

Pas dorëheqjes së Sejdiut për shkelje të Kushtetutës, duke qenë se mbante njëkohësisht postin e kryetarit të partisë dhe atë të kreut të shtetit, drejtimin e LDK-së e mori kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Nga zgjedhjet e fundit parlamentare të kryera në shtetin e ri, Lidhja Demokratike e Kosovës doli partia e dytë më e madhe e vendit, pas PDK-së së kryeministrit Hashim Thaci.

Top Channel