Biznesmeni serb në veri të Kosovës, Zvonko Veselinovic u arrestua mbrëmjen e së martës në territorin e Kopaonikut, nën akuzën e përfshirjes në aktivitete kriminale.

Lajmin e bënë të ditur mediat serbe, të cilat saktësuan se bashkë me Zvonko u arrestua edhe vëllai i tij Zharko, për të njëjtat akuza.

Por, përvecse për përfshirje në rangjet e larta të krimit të organizuar, dy vëllezërit dyshohen se kanë mbështetur protestat serbe në veri të Kosovës.

Ata kanë furnizuar protestuesit me armë dhe eksploziv, që u përdorën pak kohë më parë ndaj ushtarëve të KFOR-it që tentuan të hiqnin barrikadat.

Disa ditë më parë, vetë komandanti i trupave ndërkombëtare, Erhard Drews bëri përgjegjës në mënyrë direkte Zvonko Veselinovic dhe vëllain e tij për aktet e dhunës në veri të Kosovës.

Dy vëllezërit pas arrestimit u dërguan në Kralevë, ku autoritetet lokale shpallën të mërkurën masën e ndalimit për 48 orë, kohë gjatë të cilës do të verifikohen akuzat për hedhjen në treg të armëve dhe eksplozivit.

Emri i Zvonko Veselinovic lakohet prej kohësh në mediat ballkanase, pasi konsiderohet një nga krerët më të rëndësishëm të krimit të organizuar serb në veri të Kosovës.

Zyrtarët kosovarë, duke reaguar ndaj lajmit, kanë deklaruar se arrestimi i vëllezërve Veselinovic përbën një situatë të vecantë, që kërkon një zgjidhje të vecantë.

“Kosova nuk ka marrëveshje ekstradimi me Serbinë, por besoj se Serbia dhe Kosova në luftën kundër krimit nuk do ta përdorin politikën”, ka deklaruar Visar Reka, këshilltar në Ministrinë e Brendshme.

Ndërsa drejtues të misioneve KFOR dhe EULEX nuk kanë bërë asnjë koment për arrestimin, që konsiderohet jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Ndërkohë, shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanovic është shprehur se për Serbinë gjithmonë ka qenë me rëndësi zbatimi dhe sundimi i ligjit. 

Top Channel