Kosovë, Kodi i ri Penal, edhe “burg përjetë”

21/12/2011 16:35

Së shpejti në Kosovë mund të zbatohet vendimi me burgim të përjetshëm për vepra penale që përbëjnë shkallë të lartë të rrezikshmërisë për shoqërinë.

Janë 52 deputetë të Kuvendit të Kosovës që kanë dhënë votën e tyre pro në shqyrtimin e parë të projekt-ligjit për Kodin Penal të Kosovës, ku parashikohet edhe dënimi maksimal, ndërsa 8 deputetë ishin kundër dhe vetëm 1 abstenoj.

Zëvëndëskryeministri Bujar Bukoshi, ka bërë prezantimin e shkurtër para deputetëve të këtij projekt-ligji, që sipas tij do të eleminojë disa zbarzëtira që kanë ekzistuar më parë, ndërsa partitë politike kanë dhënë edhe opinionet e tyre në mënyrë që ato të përfshihen në variantin përfundimtar.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dhënë votën e tyre pro, ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e së cilës votuan kundër kanë bërë disa vërejtje rreth emërtimit “thirrje për rezistencë”.

Projekt-ligji për Kodin Penal përmban 35 kapituj dhe më shumë se 400 nene, dhe përbën njërin nga ligjet bazë në sistemin juridik të Kosovës.

Tashmë i mbetet Komisionit përkatës të Kuvendit që të bëjë rekomandimet e nevojshme dhe t’i sjellë ato për miratim përfundimtar, dhe për t’u zbatuar më pas dënimi maksimal, siç është, burgimi i përjetshëm, që nuk ka ekzistuar kurrë më parë në Kosovë.

Top Channel