Gjendja e sigurisë në veri mbetet e pandryshueshme, si pasojë e
barrikadave nëpër rrugët kryesore. Në takimin e Komitetit të Sigurisë që
mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së
Mitrovicës.  

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se është pritur që pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit barrikadat në veri të hiqen.

“Barrikadat në rrugët e veriut, duke përfshirë edhe pjesën urbane të qytetit të Mitrovicës kanë mbetur. Si pasojë qytetarët kanë probleme të mëdha për lëvizje të lirë”, tha Haziri, bëri të ditur Kosovatimes.

Haziri tha se autoritetet e sigurisë duhet të jenë të vendosura dhe të largojnë këto barriera nëpër rrugë, për të mundësuar normalizimin e jetës atje.

“Nëse gjendja vazhdon të mos ndryshojë, atëherë ata banorë gjatë stinës së dimrit do të mbeten tërësisht të bllokuar”, tha Haziri, duke përmendur edhe nevojën e ndërhyrjes së autoriteteve përkatëse për të zgjidhur problemin e mosfurnizimit me energji elektrike në mënyrë të rregullt për banorët e Lagjes së Doktorëve dhe një pjese të Suhadollit.

Top Channel