Ambasadori francez në Beograd, Francois Xavier Deniau ka deklaruar se Franca nuk e kushtëzon statusin e kandidatit për Serbinë me njohjen e Kosovës.

“Ne insistojmë në vazhdimin e dialogut, i cili mundëson një jetë më të mirë, sidomos për pakicën serbe në Kosovë”, ka deklaruar Deniau për gazetarët.

Duke folur pas nënshkrimit të një memorandumi mes Vojvodinës dhe rajonit francez të Bretanjës, diplomati ka vlerësuar se nga dialogu Prishtinë-Beograd janë përmirësuar shumë gjëra.

“BE-ja, për shkak të disa cështjeve të pazgjidhura, i ka dhënë Beogradit edhe pak kohë për zgjidhjen e të gjitha problemeve”, ka nënvizuar më tej Deniau.

Më 9 dhjetor, Bashkimi Evropian refuzoi t’i jepte Serbisë statusin e vendit kandidat për shkak të akteve të dhunës në veri të Kosovës, që kulmuan me plagosjen e disa ushtarëve të KFOR-it.

Presidenti Boris Tadic dhe ministri i Brendshëm Ivica Dacic bënë përgjegjës Brukselin për dështimin, me argumentin se kishte vendosur kusht njohjen e Kosovës, akuzë kjo që është përgënjeshtruar nga BE.

Brukseli i ka bërë të qartë Serbisë se një tjetër mundësi për të marrë statusin e kandidatit është në mars të vitit të ardhshëm, por vetëm nëse zbatohen marrëveshiet me Kosovën dhe nëse qetësohet situata në veri, ku Serbia mbështet strukturat e saj paralele.

Gjendja e sigurisë në veri të shtetit të ri mbetet e pandryshueshme, si pasojë e barrikadave të vendosura nëpër rrugët kryesore dhe banorëve serbë që i mbikëqyrin ato.

Top Channel