Bora që ka rënë gjatë natës së kaluar në Kosovë ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve nëpër rrugë, por policia thotë se rrugët janë të kalueshme.

Ndërkohë bëhet e ditur se vendkalimi kufitar Kullë-Pejë-Rozhajë është mbyllur për qarkullim nga pjesa e territorit të Malit të Zi. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se duke u bazuar në të dhënat nga terreni të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme, ndonëse ka vështirësi në qarkullim për shkak të reshjeve të borës.

Për më tepër, Kelani ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit nuk është raportuar asnjë aksident me fatalitet, derisa 13 aksidente kanë qenë me të lënduar, ndërsa 35 me dëme materiale.

Ndryshe, të dielën në mëngjes, në udhëkryqin e rrugëve “Bill Klinton”-“Robert Doll”, në Prishtinë, ka ndodhur një aksident, ku si pasojë e ndeshjes së një autobusi të trafikut urban dhe një veture ka vdekur shoferi i veturës.

Sipas policies, në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet e trafikut rajonal të cilat janë duke u marrë me rastin.

Top Channel